Covid-19, i cili prej më shumë se një viti na ka ndryshuar totalisht jetën, nuk prek vetëm mushkëritë dhe rrugët e frymëmarrjes te pacientët e infektuar, por edhe trurin.

Virusi i rrezikshëm mund të shkaktojë dëme serioze në sistemin nervor dhe ndonëse pacientët negativizohen, sërish nuk është ende një betejë e fituar ndaj tij.

Kjo pasi qytetarët, qofshin ata të shëruar nga sëmundja apo me pasoja të lehta, do t’i vuajnë pasojat e Covid edhe pas disa muajsh nga koha kur janë infektuar.

Mjeka e njohur neurologe në spitalin e Durrësit, Eda Harizi tregon për “DurrësLajm” se pacientët që e kanë kaluar Covid-19 kanë shqetësime si; pagjumësia e zgjatur, dhimbje koke e vazhdueshme, marrje mendsh, çrregullime të kujtesës, gjendje depresive e ankthi.

“Pas kalimit të fazës së parë të infektimit nga virusi Covid, vazhdon edhe një fazë tjetër me javë e ndonjëherë me dy tre muaj. Ka pacientë që edhe për gjashtë muaj rrjesht, vazhdojnë të ankojnë shenja të tilla”, shprehet ajo.

Gjatë kësaj periudhe pandemie, në spitalin e Durrësit janë regjistruar 43 raste pacientësh me trombozë cerebrale, që rezultonin pozitiv me Covid-19, disa prej të cilëve edhe pa faktor risku.

“Kemi patur raste edhe pa faktorë risku të mëparshëm që pësuan trombozë cerebrale dhe kanë qenë relativisht të rinj”, thotë mjekja neurologe ndërsa shton se pacientët e prekur nga virusi, edhe pasi shërohen e bëjnë me më vështirësi rutinën e përditshme.

Por si mund ta mbrojmë sistemin nervor? Neurologia Harizi vë theksin te jeta e shëndetshme, e pasur me mikroelemente që mbrojnë sistemin nervor.

“Vitaminat antioksidante dhe suportive të sistemit tonë nervor, si Vitamina D, Vitamina C , grupi i vitaminave B, Zingu etj..”

Mjekja neurologe shprehet se sipas studimeve të bëra nga Akademia Europiane e Neurologjisë dhe Akademia Amerikane e Neurologjisë, gati 46% e pacientëve kanë pësuar prekje të sistemit nervor gjatë përiudhës së infeksionit me Covid.

Madje, thekson ajo, ka studime që e klasifikojnë se deri në 70% të rasteve kanë patur simptologji neurologjike përveç atyre respiratore.

G.D.