Truri i njeriut vazhdon të prodhojë neurone të reja edhe në moshë të avancuar. Zona ku ndodh ky proces është hipokampi, që është qendra e kujtesës, e të kuptuarit dhe e rregullimit të emocioneve. Aty gjenden qelizat meme neurale aktive, pra qeliza që janë në gjendje të ndahen edhe në moshë madhore.

Grupi kërkimor ka analizuar të dhënat e marra nga shumë biobanka ndërkombëtare të personave deri në moshën 78 vjeç, dhe ka vërtetuar procesin. Janë identifikuar disa faza të zhvillimit të neuroneve, nga qelizat staminale deri te neuronet e papjekura, shumë prej të cilave ishin në fazën e ndarjes.

Eksperimentet e mëtejshme kanë treguar se qelizat e sapoformuara gjendeshin në një zonë specifike të hipokampit. Edhe në shumë persona me moshë të madhe, qelizat e trurit vijonin të gjeneroheshin, çka tregon fuqinë e jashtëzakonshme që ka ky organ kaq kompleks: truri.

Studimi që dokumenton dhe vërteton për herë të parë këtë zbulim është realizuar nga Instituti suedez Karolinska dhe është publikuar në revistën prestigjioze Science.

Mendohet se truri ka rreth 85 miliardë neurone, qeliza nervore, ku secila prej tyre krijon të paktën 10 mijë lidhje me qelizat përreth. Çdo ditë humbasim dhe gjenerojmë neurone të reja, por me kalimin e viteve kjo aftësi reduktohet.