7 mars 2015 – Gazeta e njohur amerikane “New York Times”, i ka kushtuar një reportazh eksodit të kosovarëve nga toka e tyre.

Në fillim të reportazhit thuhet se familja e zgjeruar Cakaj ka ndërtuar disa shtëpi në Kosovë, por tani ata duan të largohen. “Djali im nuk kishte asnjë zgjidhje. Ai kishte vetëm një lopë, qumështin e të cilës e shiste në një treg në Prishtinë”, thotë Xhevat Cakaj.

Ndërsa Afrim Syla, një 48- vjeçar nga Prishtina, i cili bën ëmbëlsira për të jetuar, thotë se i biri i është bashkuar eksodit. “Dikur kosovarët jepnin jetën për të qëndruar këtu. Tani kemi ardhur në një gjendje ku largohemi me vullnetin tonë.”

Sipas gazetës prestigjioze, gjendja ekonomike në vend është katastrofike. Por, kosovarët nuk priten me krahë hapur në Perëndim, pasi atyre nuk u pranohen kërkesat për azil. Askush nuk e di se çfarë e provokoi eksodin. Disa thonë situata politike në vend dhe statusi i Kosovës në botë.

“Zgjedhjet e qershorit të shkuar nuk u zgjidhën për muaj, derisa partia e ish- kryeministrit Hashim Thaçi, një hero në luftën kundër Serbisë, i akuzuar së fundmi nga kritikët si i etur për pushtet dhe i korruptuar, e hapi me forcë rrugën drejt koalicionit qeverisës. Ai është tani ministër i Jashtëm,” shkruan gazeta. Por, thelbi i problemit është ekonomia dhe korrupsioni. Si rast i këtij të fundit, gazeta përmend rrugën që lidh Kosovën me Shqipërinë.

Ndërsa, kreu i misionit të BE-së në Kosovë, Samuel Zgobar paralajmëron se “Do të jetë një pranverë shumë e vështirë”. 

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/