PRISHTINË, 15 shkurt 2013 – Kompania Ogilvy/Karrota, që realizoi monumentin NEWBORN për Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, për të cilën i fitoi shumë çmime ndërkombëtare në lëmin e dizajnit, përfshirë edhe çmimin më prestigjioz në botë, Luanin e Artë në Cannes, nëpërmjet rrjeteve sociale mbrëmë i bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkëngjiten për ta kthyer në monument me flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Aksioni do të nisë të shtunën, më 16 shkurt, nga ora 10:00 në mëngjes, në mënyrë që 5-vjetori i pavarësisë të pritet me pamje të re.
Ky propozim nga autori i monumentit, Fisnik Ismaili, që të lyhet në këtë mënyrë dhe t’i ndryshojë pamja më 17 shkurt të çdo viti, i është paraqitur si kërkesë Qeverisë së Kosovës dhe Komunës së Prishtinës qysh nga përvjetori i parë i pavarësisë, më 2009, por i është refuzuar vazhdimisht çdo vit, përfshirë edhe sivjet për përvjetorin, pa ndonjë arsye të veçantë, por gjithherë me prapavijë politike.
Sivjet Komisioni për organizimin e manifestimit të 5-vjetorit të Pavarësisë, i udhëhequr nga zyrtarë të Qeverisë së Kosovës, mori vendim që ta ngjyroste monumentin NEWBORN sërish me ngjyrë të verdhë (dhe jo sikur e verdha origjinale), pa u konsultuar asnjëherë me autorin për qëllimin, simbolikën apo mirëmbajtjen e mirëfilltë të kësaj vepre, duke i mbuluar nënshkrimet e shumta të qytetarëve pa asnjëlloj sqarimi, dhe duke mos i përfillur të drejtat autoriale dhe implikimet legale që mund të shkaktojë ky veprim.
Prandaj, si reagim ndaj kësaj shkeljeje të rëndë, jo vetëm ndaj të drejtave autoriale, por edhe shprehjes së lirë, Fisnik Ismaili mori vendimin për ta ngjyrosur monumentin ashtu si është menduar që nga përvjetori i parë, pa miratimin e autoriteteve zyrtare, duke gjetur përkrahje të madhe nga qytetarët, të cilët do t’i bashkëngjiten kësaj nisme, që po vërehet nga reagimi masiv në Facebook dhe Twitter.
Ismaili sqaron se NEWBORN është një vepër, e cila i shërben secilit qytetar për t’u shprehur në të, në çfarëdo mënyre, qoftë edhe duke e ngjyrosur me ngjyra të tjera. Kështu, ngjyrosja me flamujt e shteteve që pranuan pavarësinë e Kosovës simbolizon mirënjohjen e qytetarëve ndaj këtyre vendeve, dhe njëherësh shërben si porosi, duke kërkuar nga shtetet e tjera të na njohin sa më shpejt.
Ai ka paralajmëruar se sot gjatë ditës do të njoftojë organet e rendit për këtë aktivitet.