Botuesi i “Focus Group”, Irfan Hysenbelliu ka reaguar pas sulmit brutal ndaj mediave, News24, Balkanweb, Gazetës Panorama, Panorama Sport dhe Gazetës Shqiptare, të cilin e ka quajtur si akt të paprecedentë dhe të paligjshëm të ndërmarrë ndaj këtij grupi mediatik.

Hysenbelliu shprehet se pa asnjë paralajmërim apo urdhër gjykate, forcat e policisë dhe ushtrisë kanë bllokuar hyrjen e televizionit dhe ndërprerën sinjalin e transmetimit të News24, ndërkohë që gazetarët u dëbuan forcërisht nga redaksitë e tyre.

“Ky nuk është një incident i zakonshëm. Ky është një akt brutal që përbën një shkelje flagrante të lirisë së shtypit dhe të të drejtës themelore të qytetarëve për t’u informuar.

Në mënyrë të fshehtë, civilë me automjete të paidentifikuara janë futur në ambientet e zyrave dhe redaksisë tonë dhe kanë marrë dokumente konfidenciale, materiale të ndjeshme dhe dosje që lidhen me hetime serioze mbi korrupsionin dhe abuzimet me pushtetin. Këto materiale janë rezultat i një pune të ndershme, të rrezikshme dhe të palodhur nga gazetarët tanë – dhe tani, përveç dëmit moral, po rrezikohet realisht edhe jeta e tyre. Ky është një paralajmërim i qartë dhe i rrezikshëm për çdo media që guxon të hetojë dhe të flasë për të vërtetën”, shprehet Hysenbelliu.

Më tej, Hysenbelliu i është drejtuar me një mesazh punonjësve të News24, duke i siguruar këta të fundit se televizioni më i ndjekur informativ nuk do të mbyllet dhe se misioni do të vazhdojë.