Nëse sheiku nga Katari, Al Khelaifi mendon se 222 milionë Eurot e klauzolës do të mjaftojnë për ta shkëputur Neymar nga Barcelona, ndoshta gabohet. Sipas mediave katalanase, klubi blaugrana i ka kërkuar PSG një nga yjet e skuadrës për të ndezur dritën jeshile dhe këtu nuk bëhet fjalë për lojtarë të dorës së dytë.

Di Maria, Draxler, Rabiot ose Verratti, gjithçka do të varet nga fjala e fundit që do ta thotë trajneri Valverde por edhe nga dëshira e presidentit Josep Maria Bartomeu.

Mes katër emrave të propozuar nga Barcelona, pista më e vështirë duket ajo që të çon te mesfushori italian duke qenë se PSG e konsideron të pashitshëm. Nuk dihet ende nëse njëri prej lojtarëve të kërkuar do të përfshihet në çmimin e shitjes së Neymar, por e sigurt është që presidenti katalanas po bën gjithçka për të mos lejuar transferimin e brazilianit në Paris pasi në këtë mënyrë imazhi i Barcelonës do të binte ndjeshëm.

Në krahun tjetër, PSG po përdor një taktikë të njohur. Al Khelaifi shpreson që miku i tij, Dani Alves të arrijë ta bindë Neymar të pranojë ofertën stratosferike. Në Paris, sulmuesi brazilian do të përfitonte rreth 30 milionë Euro në sezon dhe mbi të gjitha do të ishte lideri i padiskutueshëm i ekipit, ndryshe nga aventura e tij në Barcelonë që vazhdon të jetë e mbuluar nga hija e Lionel Messit.