Mund të jetë transferimi më tronditës i merkatos së futbollit që prej vitit 2000 kur Luis Figo vendosi të vishte fanellën e Realit të Madridit dhe sërish edhe këtë herë viktimë mund të jetë Barcelona. “Daily Mail” zbulon arsyet se përse Neymar po planifikon largimin nga klubi katalanas me destinacion PSG për më shumë se 200 milionë Euro. Sipas tabloidit britanik, Neymar është aktualisht nën hijen e Lionel Messit dhe kjo është arsyeja kryesore se përse ai po mendon t’i japë fund bashkëpunimit me klubin katalanas. “Nuk besoj se do të ndodhë”, deklaroi drejtori teknik Robert Fernandez të Hënën kur u pyet nëse Barcelona do ta shiste Neymar për 222 milionë Euro te PSG por në këtë rast vendimi i Barcelonës ka pak rëndësi pasi kjo është shuma e vendosur në klauzolën e brazilianit dhe fjala e fundit i takon vetëm atij.Manjati Nasser Al Khalaifi po bën gjithçka për të plotësuar kërkesat e sulmuesit pasi ai synon të fitojë me çdo kusht Champions League dhe Neymar është njeri i duhur për t’i shtuar një marsh më shumë skuadrës së tij. Ishte pikërisht Neymar një nga shkaktarët e eliminimit të PSG sezonin e shkuar nga UEFA Champions League por as paraqitjet spektaklare vitin e kaluar nuk e kanë ndihmuar sulmuesin të ngjitet në hierarkinë e Barcelonës pasi për shumë arsye, Lionel Messi mbetet “mbret” në Katalonjë ku vetë Neymar ka nisur të fërkohet me drejtuesit e klubit. Gjithçka nisi pas atij kartoni të kuq të marrë ndaj Malagas që e detyroi të humbiste El Clasicon e dytë të sezonit ku gjithsesi Barcelona arriti të fitonte.Një moment tjetër problematik në marrëdhëniet mes tij dhe klubit është ai përpara ndeshjes së kthimit kundër PSG ku ai edhe pse duhej të përqëndrohej tërësisht te ndeshja, nuk ngurroi të publikonte foto me mikun e tij Lewis Hamilton duke festuar. Tekat e brazilianit e detyruan ish zv/trajnerin Carles Unzue t’ia bënte të qartë se ai kishte marrë rrugën e Ronaldinhos por kjo nuk i pëlqeu aspak sulmuesit që vendosi veton duke kërkuar largimin e tij. Gjithsesi, koha po tregon se Neymar po ndjek një stil jetese që mund t’ia shkurtojë karrierën pasi nofka që ka marrë është ajo e futbollistit të kopertinave. Gjithsesi, një vendim i mundshëm për t’u zhvendosur në Francë nuk është i lehtë për t’u marrë sepse në Ligue 1, Neymar do të humbiste shumë si në aspektin futbollistik ashtu edhe në atë të imazhit mediatik.
Nuk është aspak e njëjta gjë të luash përballë 99 mijë spektatorëve në “Camp Nou” krahasuar me 48 mijë në “Parc de Princes”, madje nuk ka të krahasuar asnjë derbi në Francë me El Clasicon që të paktën dy herë në sezon tërheq gjithë vëmendjen e botës së futbollit. Një tjetër pengesë është edhe momenti që po kalon PSG pas dështimit në kampionat gjatë sezonit të fundit. Një telenovelë vere që gjithsesi mund t’i shërbejë Barcelonës të investojë shuma të rëndësishme në rast të largimit të 25-vjeçarit. I pari në listë do të ishte italiani Marco Verratti që ka shporehur publikisht dëshirën për t’u bashkuar me ekipin katalanas, ndërsa vendin e Neymar do ta zinte një tjetër talent, sulmuesi i Borussia Dortmund, Ousmane Dembele, pa përjashtuar këtu edhe afrimin e mundshëm të Kylian Mbappe.