Neymar do të kthehet në shtëpi! Superylli brazilian u ka thënë në mënyrë sensacionale lojtarëve të Santos se do të kthehet në klubin e fëmijërisë nga Al-Hilal.

32-vjeçari aktualisht është i lidhur me një kontratë fitimprurëse me ekipin e Al-Hilal në ligën saudite deri në vitin 2025.

Aktualisht braziliani është duke u riaftësuar pas dëmtimit të ligamentit të gjurit që pësoi vitin e kaluar – dhe në këto kushte ai ka marr pushim për të shkuar në Brazil.

Neymar ka qenë gjithashtu duke diskutuar me David Beckham, gjë që ka ngjallur diskutime për një ribashkim me ish-bashkëlojtarët e Barcelonës, Lionel Messi dhe Luis Suarez në skuadrën e MLS, Inter Miami.

Gjithsesei mediat braziliane bëjnë me dije se Neymar nuk ka ndërmend të shkojë në Shtetet e Bashkuara.

Në vend të kësaj, ai ka informuar lojtarët e Santos se do të ribashkohet me ekipin e tij të fëmijërisë kur t’i përfundojë kontrata në Lindjen e Mesme.

Neymar thuhet se e ka bërë këtë deklaratë gjatë një vizite në dhomën e zhveshjes së Santos përpara fitores kundër Palmeiras të dielën.

Neymar ishte i ftuar special në atë ndeshje dhe për pak kohë u bashkua me lojtarët e Santos në prapaskenë përpara se të dilte në fushë përpara tifozëve.

Mbështetësit bënë thirrje për rikthimin e tij në shtëpi teksa parakalonte me trofeun Paulista, me një zyrtar të klubit që konfirmoi më vonë për UOL se golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave i Brazilit ka premtuar se do të rikthehet atje ku hodhi hapat e parë në karrierë sapo të mbyll kontratën me klubin arab.