Gazetari i “Cope” tha se Neymar ka qenë në Madrid të enjten mbrëma. Braziliani i Barcelonës, pasi ka marrë informacionin e duhur për çdo gjë që tha Manolo Lama në “‘El Partido de las 12” (deklaroi se sulmuesi i Barcelonës ishte duke ngrënë darkë në Madrid, mbrëmjen e së enjtes), ka reaguar ashpër.

Braziliani Neymar po lidhet shumë nga mediat për një transferim te Real Madridi. Neymar ka postuar një video në “Snapchat”, në të cilën i referohet gazetarit të “Cope” në këtë mënyrë: “Manolo Lama, ju thatë dje se isha në Madrid. Unë po ju them të vërtetën: jeni një budalla.”

Videoja, gjithashtu, vjen me një mesazh shoqërues: “Dedikuar një gazetari, i cili nxjerr m… nga goja”. Në video shihet qartë edhe babai i vet, që është dhe menaxheri i sulmuesit të Barcelonës. Nuk dihet me saktësi nëse Neymar është në rrugën e kalimit te Real Madrid tani për tani, por mediat iberike kanë shkruar se klubi i bardhë është duke e konsideruar seriozisht nënshkrimin me yllin e Barcelonës. Florentino Perez ofron 35 milionë euro në sezon për Neymarin. Presidenti i “Los Blancos” është po ashtu i gatshëm të paguajë klauzolën stratosferike prej 190 milionë eurosh, nëse lojtari largohet nga Barcelona.