Pique, në rrjetet sociale, ka garantuar se Neymar “se queda”, që do të thotë se nuk largohet nga Barcelona, por operacioni Neymar-PSG vazhdon përpara dhe mund të konkretizohet para fundit të kësaj jave. Një lëvizje e çmendur me vlerë gjysmë miliard euro: 222 milionë për klauzolën e brazilianit, një kontratë 5-vjeçare për lojtarin me 30 milionë euro në sezon (60 milionë euro bruto), 40 milionë euro si komision për babanë-menaxher.
Një shifër që emiri i Katarit beson se mund ta rikuperojë nga të ardhurat që do të vijnë nga marketingu dhe sponsorët e ndryshëm. Misteri thellohet: mëngjesin e së martës, Paris Saint Germain ka lajmëruar një konferencë për shtyp të paplanifikuar (ora 17 në Amerikë, 11 në Francë). Ndoshta për të prezantuar blerjen e madhe në merkato? Ajo që dukej si një fantazi mund të kthehet shumë shpejt në realitet, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë një seri operacionesh mes Italisë, Spanjës dhe Anglisë.