Nga 1 gushti nis faza e dytë e aksionit antiinformalitet. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, deklaroi në një konferencë për media se aksioni kundër informalitetit ka sjellë rezultate pozitive.
Sipas ministrit, janë lehtësuar procedurat për sipërmarrjen dhe janë mbledhur 120 milionë dollarë më shumë. Ahmetaj shtoi se ka një rritje të numrit të kuponëve, por paralajmëroi nisjen e fazës së dytë në terren që nga 1 gushti.
“Statistikën nuk i ndajmë me lumturi por me përgjegjshmëri, pasi faza e dytë vazhdon. Duke filluar nga 1 gushti, verifikim në terren të situatës së kuponëve. Ndërkohë që kemi shpallur një fushatë intensive për thjeshtimin e procedurave”, tha Ahmetaj.
Sa i takon kasave fiskale, ministri deklaroi se numri i tyre është shumë i madh dhe duhet një punë jashtëzakonisht e madhe në terren për të verifikuar pse nuk transmetojnë, nëse është situatë teknike apo evazioni.





