Nga janari i vitit të ardhshëm pritet të ndodhë ajo që paralajmërohet prej vitesh, pagimi i diferencuar i sigurimit të mjetit bazuar te historiku i aksidenteve të shoferëve.
Lidhur me këtë eksperti i financave Erald Hysa, i ftuar në një studio televizive, u shpreh se më shumë se përftim shoferëve do i shërbejë për tu ndërgjegjësuar.
Ai tha se ky hap ka ardhur kaq vonë sepse deri tani nuk ka pasur një rregullore dhe një vendimmarrje që ti detyronte kompanitë, ndërsa tani nuk ka kthim pas. Sipas tij, shqiptarët nuk e shohin sigurimin si masë mbrojtëse për ta, por si një taksë.
“Më tepër se përfitim ka ndërgjegjësim te shoferi sepse nëse do shkaktojnë më shumë se një dëm e sipër do kenë një çmim më të lartë. Tregu i sigurimeve do e shohë që do ketë disa prime, por po ta shohim sa njerëz shkaktojnë aksidente dhe ata që nuk shkaktojnë do shohësh se është më i vogël numri i atyre që shkaktojnë me ata që nuk shkaktojnë dhe kjo do të thotë më pak të ardhura për sigurimet.
Ai që sot paguan 160 dhe nuk bën asnjë aksident do ti ulet 0.2%, por ulja nuk është shumë e madhe, por rritja është më e madhe, pra 0.2 % do ulet çdo vit nëse nuk shkakton aksident.
Faktor kryesor është dhe fuqia se deri tani një ferrari dhe volswagen janë tarifuar njësoj, ndërsa tani do jetë e diferencuar. Do bëhet një formulë e qartë nga autoritet për llogaritjen, ku do përfshihet çmimi bazë, do shtosh dhe faktorët fuqia motorike, vjetërsia. Ndërsa makinat elektrike janë ende pa peshë në tregun e sigurimeve.”
Më tej ai theksoi se kjo ka ardhur kaq vonë sepse jemi pak mbrapa në fushën e sigurimeve dhe nuk ka pasur dhe një shtytje as nga tregu, nuk ka dashur të shtojë një element tjetër.
“Autoriteti i konkurrencës i ka lënë si këshill që në 2015 do duhej ta implementonin, por u la pak në konsulencë dhe jo detyrim, por tani jemi në fazën që ka një rregullore dhe 1 janari nuk mund të kthehemi dot pas.
Deri tani nuk kishte një rregullore dhe një vendimmarrje që ti detyronte kompanitë. Për aksidentet e vogla më në fund ka dhënë të drejtën që drejtuesi i mjetit të dakordësojë se kush ishte fajtor. Shqiptarët nuk e shohin sigurimin si masë mbrojtëse, por si taksë”