Drejtoresha e Agjencisë së Bashkëqeverisjes, Eridana Cano, tha se në asnjë lloj skenari, nuk do të ketë më kthim sportelesh. Por çfarë do të ndodhë me ata qytetarë që nuk kanë akses në pajisje të zgjuara apo internet, dhe me ata që nuk i kanë njohuritë për të përdorur këto sisteme?

Cano thotë se këta persona do duhet që t’u drejtohen të afërmve apo më të rinjve për t’i ndihmuar, pasi shërbime për llogari të tyre nëpër sportele nuk do të ketë më. Ajo theksoi po ashtu, se shërbimet online do të ofrohen në një formë tejet të thjeshtëzuar.

Përjashtim do të bëjnë disa sportele të reduktuara të Gjendjes Civile që tashmë do të jenë 150 në të gjithë territorin dhe ato të DPSHTRR pasi kanë nevojë për prani fizike. Po ashtu do të vijojnë të operojnë edhe agro-pikat.

Sa i përket personave që punonin në këto sportele, drejtoresha e Agjencisë së Bashkëqeverisjes thotë se vendet e tyre të punës nuk do të shkurtohen. Por ata tashmë do të punojnë për të mbështetur sistemet që shërbimet të kryen sa më shpejt dhe në mënyrë eficente.

Në fillim të vitit tjetër pritet që të jetë funksional në E-albania edhe asistenti virtual që do të aftësojë personat me aftësi ndryshe dhe për ata që e kanë të pamundur ta përdorin portalin për shkak të mungesës së njohurive apo moshës.