Pas kthimit të vendit në një destinacion të preferuar turistik është rritur ndjeshëm numri i individëve që regjistrojnë në Booking apo AirBnb pronat e tyre për t’i dhënë me qira ditore, por pjesa dërmuese e tyre operojnë në informalitet, sipas agjencive imobiliare. 

Tashmë midis kompanive ndërkombëtare që ofrojnë këtë lloj shërbimi dhe administratës tatimore është vendosur bashkëpunimi për formalizimin e tregut dhe për taksat që duhet të paguhen për të ardhurat e gjeneruara nga qiratë afatshkurtër.

Me kërkesë të autoriteteve shqiptare, platforma Booking, nëpërmjet një njoftimi, u ka kërkuar pronarëve të apartamenteve se nëse nuk deklarojnë NIPT-in, nga 1 Nëntori do të paguajnë 20% TVSH për komisionet që mban Booking. 

“Ju lutem vini në dispozicion numrin tuaj NIPT brenda 31 Tetorit 2023. Gjithashtu konfirmoni regjistrimin tuaj për taksën e TVSH-së, datën e regjistrimit dhe deklaratën e regjistrimit të TVSH-së brenda 31 Tetor 2023. Nga 1 Nëntori 2023, nëse nuk keni dorëzuar regjistrimin e TVSH-së, konfirmimin që jeni i regjistruar në TVSH, datën dhe një kopje të vërtetimit tuaj të regjistrimit do të aplikojmë 20% TVSh në faturën e komisionit që ju dërgojmë. Ju lutem vini re se kjo ka të bëjë vetëm me faturën e komisioneve që ju dërgojmë, nuk ndikon në TVSH-në që i ngarkohet klientit në çmimin e qëndrimit të tyre në pronën tuaj”, thuhet në njoftimin e Booking. 

P.sh. nëse një shtëpi ka një qira ditore 100 euro, Booking merr zakonisht 12-18% komision, ose 12-18 euro.

Tashmë Booking do t’u mbajë pronarëve të apartamenteve TVSH-në mbi komisionin që ajo merr, pra 20% të 12-18 eurove, ose 2.4-3.6 euro shtesë. Këtë shumë Booking do t’ua paguajë më pas autoriteteve fiskale shqiptare.

Alternativat e pronarëve, ose tatim mbi të ardhurat 15%, ose të regjistrohet si strukturë akomoduese me 6% TVSH

Ndërsa shuma që Booking do të mbajë si TVSH mbi komisionet mund të mos jetë shumë e lartë, synimi i Tatimeve është që përmes këtyre pagesave të identifikohen individët e regjistruar në këtë platformë, pasi të dhënat nga pagesat e kryera nga Booking do t’i dërgohen Drejtorisë së Tatimeve.

Këta të fundit do t’u drejtohen më pas pronarëve të apartamenteve për t’u kërkuar që të paguajnë taksat mbi të ardhurat që ata përfitojnë, në bazë të legjislacionit fiskal. 

Pas identifikimit nga tatimet, individët pronarë kanë dy alternativa:

  • E para, ata mund të vazhdojnë që të mbajnë statusin që kanë, d.m.th. të mos regjistrohen në tatime, por ndërkohë duhet të paguajnë 15% si tatim mbi të ardhurat që ata marrin nga qiraja.
  • E dyta, të regjistrohen si subjekt tregtar të kategorizuar, si struktura akomoduese për të cilat detyrimi i TVSH-së është 6%. Kategorizimi si strukturë akomoduese për përfitimin e TVSH-së 6% kryhet nga Ministria e Turizmit, dhe më tej pas marrjes të tij, subjekti tregtar regjistrohet për NIPT në Tatime.

Për momentin kjo masë për formalizimin e tregut përmes identifikimit të pronarëve të regjistruar në platformat e huaja është për Booking,  pritet së shpejti të shtrihet edhe për identifikimin e pronave të regjistruara në AirBnb dhe Tripadvisor. 

Biznesi në rritje i qiradhënies 

Në muajin shtator 2023, numri i strukturave me qira ditore në dy platformat ndërkombëtare booking (sipas kërkimeve të Monitor) dhe AirBnb (sipas të dhënave të AirDNA) arriti në 24,902 apartamente/banesa.

Në muajin shtator 2023, sipas kërkimeve të Monitor, numri i apartamenteve dhe shtëpive të listuara në Booking arriti 9,390 prona. Deri më tani janë vendosur në Booking 5,614 prona për dhënie me qira për shtator 2024 (pronat e vendosura për dhënie me qira pranë sezonit të vitit të ardhshëm nuk përdoren më përpara).

Ndërsa në AirBnb, për muajin shtator 2023, sipas të dhënave të AirDNA që analizon statistikat për strukturat me qira ditore kishte 15,512  listime pronash të disponueshme. Krahasuar me muajin shtator 2022, pronat e listuara për dhënie qiraje në këtë platformë u rritën me 25%. 

Përveç mungesës së formalizimit, zhvillimi i vrullshëm i tregut të qirasë afatshkurtër, po dëmton edhe sektorin e qiradhënies afatgjatë, ku sipas agjencive po mungojnë pronat për dhënie me qira afatgjatë dhe çmimi i qirave është rritur ndjeshëm. 

Stela Dhami, nga agjencia ndërkombëtare e pasurive të paluajtshme “Colliers International Albania”, tha për Monitor se kërkesa e lartë për apartamente nga të huajt nëpërmjet rezervimeve online në Airbnb dhe Booking, kryesisht gjatë sezonit të turizmit, forcoi ndjeshëm presionet për rritje të çmimeve të qirave afatgjatë.

Znj. Dhami pohon se është shtuar numri i individëve që po marrin apartamente me qira për t’i ridhënë ato me qira ditore.

Zak Topuzi, nga Shoqata e Hotelerisë Shqiptare, pohoi për Monitor se tregu i qirasë afatshkurtër në AirBnb është kthyer në një shqetësim botëror dhe qasja ndaj tyre po ndryshon në shumë shtete, të cilat ose po i pezullojnë ose po i lënë të kryejnë aktivitet jo më shumë se 3 muaj në vit.

Ndërsa në Shqipëri, sipas tij, u arrit të detyrohen pronarët e këtyre apartamenteve të paguajnë detyrimet nëpërmjet bashkëpunimit me Booking, që i detyron të deklarojnë NIPT-in, ndryshe subjekti do të paguajë 20% TVSH ndaj komisioneve, nëpërmjet të cilave do të identifikohet në tatime. 

Kjo është masa e dytë që ndërmerret nga administrata tatimore për regjistrimin e pronarëve e apartamenteve që jepen për qira ditore.

Në 2019, nga Drejtoria e Shërbimit të Tatimpaguese, kontrolli nisi nëpërmjet kontaktimit me telefon të pronarëve të apartamenteve në të gjitha platformat online ku ishin të publikuara dhënia me qira e apartamenteve.

Nga verifikimi online rezultoi se një numër i lartë i tyre nuk ishin të regjistruar si subjekte tatimore, por problematika për formalizimin e tyre nuk arriti të adresohej./Monitor