12 personazhe shqiptarë të famshëm në botë janë pjesë e programit më të ri të "Top Channel" me 12 puntata që do të nisë transmetimin të dielën e 14 tetorit.
Lajmin e ka dhënë autori i këtij formati të ri dhe të veçantë, Artan Korenica, i cili bashkë me një foto me drejtorin Ben Blushi, ka dhënë detaje nga ky projekt, që mesa duket ka kushtuar, pasi prezantuesja Klea Huta ka shkuar i ka intervistuar personazhet në vendet ku jetojnë dhe janë të famshmëm.
Modele si Afërdita Dreshaj, Emina Çunmulaj, Angela Martini etj. kanë vendosur të rrëfejnë jo vetëm hapat që kanë ndjekur për të pasur këtë karrierë që kanë sot jashtë kufijve, por edhe sekrete nga jeta private në lidhje me historitë e tyre të dashurisë me burra pasanikë, që për disa prej tyre janë finalizuar me martesë.
Në këtë format do të kemi mundësi të dëgjojmë rrëfime nga të tjerë personazhe të famshëm në botë si: Fadil Berisha, Tony Dovolani, Jeams Biberi, Ermonela Jaho, Saimir Pirgu, Rame Lahaj, Elhaida Dani dhe dy emra që po mbahen surprizë nga produksioni.
Kjo ishte një verë aventureske për Klean dhe stafin e programit të udhëhequr nga ideatori, fotografi i njohur Korenica, pasi ata udhëtuan në vende të ndryshme të botës si: Amerika, Anglia, etj. për xhirime dhe intervista. Kështu, me nisjen e sezonit të ri televiziv, Klea Huta rikthehet në “Top Channel”, aty ku provoi veten e saj disa vite më parë si showgirl.
Pasi e kemi parë si prezantuesen e “Gjeniut të vogël” në “Tv Klan”, tashmë do e shohim në programin e ëndrrave nga çdo prezantuese që ka qejf udhëtimet dhe që u dedikohet personazheve shqiptarë që janë bërë të njohur jashtë vendit.
Në programin me titull “Top of The Top” do të rrëfehen histori mbresëlënëse suksesi të vajzave e djemve me famë nga Shqipëria e Kosova. Vetë Klea, mund të themi, se ndihet e bekuar dhe me fat, pasi në këtë moment ka dhe karrierën, dhe dashurinë.
Gjatë udhëtimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishte me vete dhe partnerin muzikant, Elgit Dodën. Çifti shfrytëzoi këtë udhëtim për të realizuar nëj set fotosh artistike në studion e Fadil Berishës. Edhe pse e kanë ditur që sytë kureshtarë përreth kanë qenë të shumtë dhe gjithashtu edhe fotografët, Elgit Doda dhe Klea Huta u fotografuan së bashku për herë të parë gjatë finales së festivalit “Kënga Magjike”. /PANORAMA PLUS





