Në vijim të kontrolleve në dalje të RSH, nga shërbimet e Policisë Kufitare, është arrestuar në flagrancë për veprën penale ”Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasi indian B. P., 33 vjeç, pasi u kap me dokumente të falsfikuara.

Po nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë shtuar kontrollet në hyrje dhe në dalje. Në bashkëpunim me autoritetet doganore në hyrje të Republikës së Shqipërisë, është kaluar për kontroll në vijën e dytë, çanta e shtetasit afrikan E. N., i cili ishte nisur nga Dubai. Gjatë kontrollit të çantës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 62000 euro, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Në përfundim të veprimeve hetimore, shtetasi E. N., u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi”.

Gjithashtu, si rezultat i kontrolleve për rritjen e sigurisë së udhëtarëve, i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë lodër një shtetasi egjiptian, i cili ishte me urdhër dëbimi nga Shqipëria, lëshuar nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë. Shërbimet e Policisë Kufitare në bashkëpunim me ato doganore dhe ato të sigurisë së aeroportit, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar për kontroll bagazhet e shtetasit egjiptian N. A., i proceduar më parë për kalim të paligjshëm të kufirit. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi i është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë lodër, e futur në një këllëf lëkure.