Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për riorganizimin e 14 institucioneve qendrore me funksione inspektuese, në përputhje me ligjin nr. 99/2024 “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Ky proces synon përmirësimin e efektivitetit të kontrollit në sektorë të ndryshëm dhe përputhjen me strukturat e reja ligjore.
Institucionet që do të riorganizohen përfshijnë Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, Agjencinë Kombëtare të Pyjeve, Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, Autoritetin Kombëtar të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Drejtorinë e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore, Inspektoratin Shtetëror Shëndetësor, Inspektoratin Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut, si dhe Institutin e Shëndetit Publik.
Gjithashtu, funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe Agjencisë Kombëtare të Bregdetit do të transferohen në inspektorate të reja qendrore, të krijuara në përputhje me fushat përkatëse dhe ligjin për inspektimin.
Në fillim të muajit korrik, kryeministri Edi Rama kërkoi pezullimin e punës së Agjencisë Kombëtare të Ushqimit (AKU), duke shprehur kritika për mënyrën e funksionimit të saj dhe urdhëroi ndërhyrje për përmirësimin e situatës.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe ngarkon ministritë përgjegjëse për ndjekjen e zbatimit të tij.
Vendimi i plotë:
V E N D I M PËR PËRCAKTIMIN E INSTITUCIONEVE QË RIORGANIZOHEN SIPAS LIGJIT PËR INSPEKTIMIN NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 3, të nenit 3, të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Këshilli i Ministrave V E N D O S I:
1. Institucionet me funksione inspektimi në juridiksionin e pushtetit ekzekutiv të qeverisjes qendrore, në fushën e zbatimit të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të cilat i nënshtrohen procesit të riorganizimit, janë, si më poshtë vijon:
a) Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore;
b) Agjencia Kombëtare e Mjedisit;
c) Agjencia Kombëtare e Pyjeve;
ç) Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura;
d) Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve;
dh) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit;
e) Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave;
ë) Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës;
f) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit;
g) Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore;
gj) Inspektorati Shtetëror Shëndetësor;
h) Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore;
i) Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut;
j) Instituti i Shëndetit Publik.
2. Funksionet inspektuese të Agjencisë Kombëtare të Arsimit Parauniversitar dhe të Agjencisë Kombëtare të Bregdetit transferohen në inspektoratet e reja qendrore, që do të krijohen sipas fushave të inspektimit, që mbulojnë ministritë përgjegjëse dhe sipas parimeve të ligjit nr.99/2024, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
3. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe institucionet e përcaktuara në pikat 1 dhe 2 për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi. Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.





