Analisti Ervis Iljazaj ishte i ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin” në Euronews, ku u analizuan ngjarjet që shënuan vitin 2025. Sipas Iljazajt, ky vit mund të cilësohet si viti i betejës mes politikës dhe drejtësisë. Ai theksoi se, nëse do të duhej të përcaktohej një “personazh i vitit”, ai nuk do të ishte një individ i vetëm, por struktura e SPAK-ut.
“Ky vit nisi me një arrestim të bujshëm, atë të Erion Veliajt, dhe u mbyll me një kërkesë për arrestimin e një personi tjetër të rëndësishëm në Shqipëri. Nëse do të më duhej të zgjidhja njeriun e vitit, do të zgjidhja jo një person, por SPAK-un si strukturë”, u shpreh Iljazaj.
Ai vlerësoi se SPAK ka kryer punën e tij dhe se fakti që sipas tij në vend ka korrupsion nuk është përgjegjësi e këtij institucioni. Sipas tij, kritikat për “protagonizëm të tepruar” ndaj SPAK-ut nuk janë të drejta, pasi ky protagonizëm lidhet me kontekstin politik dhe klasën politike në Shqipëri.
Iljazaj theksoi gjithashtu se, për herë të parë, edhe sipas sondazheve të realizuara nga Euronews, SPAK rezulton si institucioni më i besueshëm në vend.
“Unë gjykoj se SPAK ka qenë në punën e vet. Fakti që këtu ka korrupsion nuk është faji i tyre dhe nuk do të thotë që ata duhet të ndalojnë apo të marrin më pak protagonizëm. E dëgjoj shpesh këtë diskutim se SPAK ka shumë protagonizëm, por kjo nuk është për faj të tyre; është për faj të kontekstit ku jetojmë, politikës dhe klasës politike që kemi. Për herë të parë këtë vit, edhe nga sondazhet që ka bërë Euronews, rezulton se kemi një strukturë të drejtësisë që është institucioni më i besueshëm në Shqipëri. Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë. Përkundrazi, gjatë gjithë tranzicionit, institucionet e drejtësisë janë cilësuar si ndër më të korruptuarat. Nëse hapim të gjitha sondazhet dhe raportet nga vitet ’90 e deri më sot, institucionet që perceptoheshin si më të korruptuarat ishin ato të drejtësisë. Këtë vit ky raport është përmbysur plotësisht. A është ky një gjykim plotësisht objektiv dhe i saktë, kjo mbetet për t’u diskutuar, por sondazhet tregojnë këtë realitet: për herë të parë në Shqipëri kemi një institucion drejtësie që është më i besueshmi”, tha ai.
Në përfundim, Iljazaj nënvizoi se, pavarësisht protagonizmit të madh publik, SPAK ka bërë punën e tij dhe, sipas tij, struktura e posaçme antikorrupsion duhet të konsiderohet “personazhi i vitit 2025”.
“SPAK ka pasur një protagonizëm jo normal, por ama ka bërë punën e tij. Për mua, njeriu i vitit është kjo strukturë, nëse do të zgjedhim personazhin e vitit”, përfundoi Iljazaj.





