Piktori Arben Shira ekspozon për herë të parë në Durrës 50 punime me tematikë shqiptare të realizuara në Itali
Ekspozita e parë e këtij viti e hapur në galerinë e artit pamor “Nikolet Vasia” përkoi me ekspozitën e parë të hapur në atdhe nga piktori Arben Shira, pas 20 viteve që ai jeton së bashku me familjen në Bari të Italisë. Në këtë ekspozitë që piktori Shira e quan antologjike ka përmbledhur piktura që i përkasin tre fazave nëpër të cilat ka kaluar arti i tij, asaj realiste, stilizuese dhe moderniste. Kur sheh pikturat e Shirës, në mendje të vjen përditshmëria njerëzore, kryesisht ajo e zonave rurale. Në pikturat e tij, Shira sjell me realizëm e nostalgji një Shqipëri pak arkaike, të cilën ritmi i shfrenuar i jetës në qytete ka nisur ta zbehë, por që në fshat është ende prezente. Korrja në fusha, e gjithë familja e angazhuar në punët në bujqësi, një nënë që lan fëmijën e saj në govatë, larja e teshave etj, të duken si procese të largëta në kohë për njeriun modern, por ato kanë qenë pjesë e ekzistencës sonë deri disa viteve më parë, kur futja e teknologjisë kufizoi veprimtarinë njerëzore në këtë drejtim, për t’ua lënë punën makinerive. Kombinimi i ngjyrave në tablotë e Shirës ku dominojnë kryesisht e verdha, jeshilja apo portokallia të kujtojnë shumë ngjyrat e peizazhit fshataresk, ngjyrat e natyrës, që të shkrira bukur arrijnë të përcjellin një ndjesi të këndshme, siç është të jetuarit pranë natyrës. Raporti i vendosur mes vizatimit, ngjyrave dhe dritës janë elementët thelbësorë që përdor Shira për të sjellë realitetin sa më pranë artdashësit, për ta bërë këtë realitet sa më aktual e nostalgjik në të njëjtën kohë. Objektet e njerëzit në tablotë e Shirës krijohen me një penelatë fluide dhe janë gjithnjë në funksion të realitetit që ai kërkon të përcjellë, jetën e përditshme rurale, ku koha ka ndalur e përditshmëria është ajo e kohëve të shkuara. Në këtë ekspozitë të parë të hapur në atdhe, Shira ka sjellë nga Italia pjesën më të madhe të punimeve të tij që mbajnë vulën shqiptare. Shqipëria, atdheu i tij është i kudondodhur në piktura. Pavarësisht 20 viteve të kaluara në emigracion, piktori e ka bartur me vete këtë pjesë të identitetit të tij dhe e ka pasqyruar mjaft bukur në telajo. Siç shprehet dhe vetë,- “natyra shqiptare është burim frymëzimi në çdo tablo”. I penalizuar në vendin e tij, për shkak të regjimit të kohës, për të ndjekur liceun artistik për pikturë, ai i plotësoi studimet e tij në Akademinë e Arteve të Bukura në Bari dhe në periudha të ndryshme kohore ka hapur ekspozita personale apo ka marrë pjesë në ekspozita së bashku me artistë të tjerë të rajonit të Puglias. Në një monografi të publikuar prej rajonit të Puglias, për ekspozitën e Shirës hapur në periudhën qershor-korrik 2011, Dr. Nicola Ciraci, këshilltar për kulturën në këtë rajon shprehet: “Falë Shirës dhe shumë piktorëve të tjerë që kanë zgjedhur të qëndrojnë në Puglian tonë, trashëgimia kulturore e territorit tonë vazhdon të pasurohet. Realizimi i Shirës, riprodhimi i fytyrave dhe natyrës në mënyrë të stilizuar, kanë krijuar një stil ekstremisht personal që meriton të vizitohet nga komuniteti ynë”.
Sapo keni hapur ekspozitën e parë në qytetin e Durrësit pas më shumë se 20 viteve që jetoni në Itali. Cilat kanë qenë përshtypjet e artdashësve që kanë vizituar ekspozitën tuaj?
Ekspozita është pritur mirë nga artdashësit. Shumë njerëz më kanë përgëzuar për punimet e mia, kanë shprehur vlerësimet e tyre për tablotë e ekspozuara këtu. Më vjen mirë që ekspozita u prit kaq mirë, pasi ekspozitën e hapa për t'u prezantuar para artdashësve të Durrësit, për t'i bërë të njohura tablotë e mia edhe në qytetin të cilit i përkas. Bisedat që kam zhvilluar me vizitorët e shumtë më kanë forcuar bindjen se punimet e mia janë mirëpritur.
Tablotë tuaja trajtojnë shumë tematikat e këtyre 20 viteve tranzicion të zgjatur nëpër të cilin po kalon kombi ynë. Si vjen Shqipëria në veprat tuaja, cilat janë ndryshimet që vini re nga realiteti i viteve të mëparshme me atë çfarë shihni tani, ndryshimet e realizuara?
Unë brenda vetes jam shqiptar dhe mbaj në zemër Shqipërinë. Vendi ynë ka kaluar nëpër etapa të ndryshme historike që vijnë secila me të veçantat e veta. E rëndësishme për mua është të ruaj dhe të mbaj brenda vetes, natyrën shqiptare, linjën shqiptare, problemet e vendit tim. Pavarësisht se vendi ka kaluar probleme kardinale, të vështira, ne jemi gjithmonë me mendjen aty, tek Shqipëria. Vështirësitë me të cilat përballet vendi na hidhërojnë, por arritjet na kënaqin.
Në Itali ju keni hapur disa ekspozita personale si dhe keni marrë pjesë në ekspozita kolektive. Cili ka qenë reagimi i publikut të huaj kur kanë parë tablo që trajtojnë tematika shqiptare?
Kjo është një pyetje që më pëlqen, pasi pikturat me tematikë shqiptare i kam ruajtur kryesisht për publikun shqiptar, por mund t’ju them se edhe nga artdashësit italianë janë pritur mirë. Ata më kanë habitur, pasi kur i kanë parë nga afër i kanë pëlqyer, janë ofruar t’i blejnë dhe kam shitur shumë prej tyre. Arti në radhë të parë pëlqehet për vlerat artistike, tematika nuk është shumë e rëndësishme. Edhe Chagall-i i madh, piktor modern, megjithëse jetonte në Paris, në pjesën më të madhe të tablove të tij dominojnë çifutët rusë, por veprat e tij janë vlerësuar dhe janë blerë jo se ishin piktura me temë ruse, po për atë çfarë ato përcillnin.
Sa piktura keni sjellë në ekspozitën tuaj të parë?
Kam ekspozuar 50 punime, të cilat vijnë të ndara në tre periudha. Edhe renditjen këtu në ekspozitë e kam bërë sipas periudhës kohore kur ato janë krijuar. Të parat i përkasin periudhës realiste, kategoria e dytë periudhës së stilizuar, asaj kohe kur jam përpjekur të konsolidoj stilin tim në tablo dhe periudha e tretë është ajo e pikturës moderniste.
Në këto kohe krize ekonomike të bësh art ose të merresh me art bëhet ndoshta gjithnjë e më e vështirë. Sidomos për piktorët është më e vështirë, pasi tablotë e tyre vlejnë gjithnjë më shumë pas vdekjes, ndërkohë që historia ka treguar se kur kanë qenë gjallë janë përballur me sakrifica të mëdha. Ju si arrini të mbijetoni me artin tuaj?
Të jetosh me art është gjithnjë një ndërmarrje donkishoteske. Por gjërat e mëdha bëhen gjithnjë me sakrifica. Artisti përballet me vështirësi ekonomike, pasi i duhet të jetojë me punën e tij, por jo gjithmonë veprat artistike vlerësohen kur autori i tyre është gjallë. Prandaj mund të them që është shumë e vështirë.
Ju vetë çfarë sakrificash bëni për artin?
Unë po sakrifikoj familjen time, jetën time. Kjo është një sakrificë personale. Të gjithë këto vite kanë qenë vite sakrifice e nuk diskutohet që një barrë të rëndë e ka mbajtur familja.
Sa e keni ndjerë mbështetjen e familjes gjatë gjithë këtyre viteve që ju i jeni përkushtuar profesionit të piktorit?
Është themelore mbështetja e familjes. Po nuk pate një mbështetje nuk mund të bëhesh artist. Unë e kam pasur gjithnjë këtë mbështetje. Familja në shumë raste ka mbuluar edhe mungesën e shoqërisë, kështu që ndihem i privilegjuar që e kam pasur gjithnjë në krah.
Kthehemi pak pas në kohë, në fillimet tuaja si piktor, atëherë kur morët lapsin e nisët të skiconit pikturat tuaja të para. Çfarë kujtoni nga ajo kohë, si ju lindi pasioni për pikturën?
Dëshira për të pikturuar më ka lindur që kur kam qenë fëmijë. Mbaj mend që kam qenë 5-6 vjeç kur nisa të bëja pikturat e para. Me aq pasion e kisha pikturën saqë doja të ndiqja shkollimin profesional në këtë degë. Kur isha në klasë të gjashtë kam vazhduar me korrespondencë klasën e shtatë, pasi doja të arrija sa më parë klasën e tetë, të mbaroja e të nisja gjimnazin për pikturë. Por kjo dëshirë nuk mu realizua. Regjimi i kohës më persekutoi në këtë drejtim. U vrava shumë nga ana shpirtërore, por nuk u deluzionova. Pata fatin më pas që ëndrrën time ta realizoja në Akademinë e Arteve në Bari, ku bëra realitet atë që shpresoja që kur isha fëmijë. Kur një njeri do diçka dhe ka vullnetin për ta shprehur nuk ka asgjë që ta ndalë e ta pengojë.
Meqë ekspozita u prit mirë a do të përbëjë kjo një shtysë për të ardhur sërish e për të hapur ekspozita të tjera?
Të them të drejtën unë kam munguar për një kohë shumë të gjatë këtu. U bënë 20 vjet që jetoj jashtë, por me mendje kam qenë gjithnjë këtu. Gjatë periudhës së tranzicionit, Shqipëria ka kaluar probleme të shumta dhe kjo më ka frenuar. Tani gjërat duken më ndryshe. Dëshira ime është që sa herë që vi të takoj njerëzit e mi të ekspozoj këtu punimet që realizoj në Itali. Dëshira është e madhe…
A e mendoni rikthimin në Shqipëri?
Është e vështirë, pasi të jetosh në perëndim me art ka një mijë probleme. Këtu mendoj se do ishte edhe më e vështirë.