Aktivisti Adriatik Lapaj, i cili prezantoi dje lëvizjen “Shqipëria bëhet” ka folur sot në emisionin “Open” në News24 për të ardhmen e kësaj lëvizjeje, por shprehu dhe opinionin e tij i pyetur në lidhje me figurat politike në vend.
Sa i përket kryeministrit Edi Rama, Lapaj u shpreh se sikur kreu i qeverisë të përdorte aftësitë e tij për mirë do linte gjurmë të mira në historinë e Shqipërisë, ndërsa shtoi se nëse nuk ndërmerr nisma për demokratizimin e vendit do mbahet mend si ai që ka shpërdoruar më shumë.
“Sikur të përdorte aftësitë që ka për mirë do linte gjurmë të mira në historinë e Shqipërisë. Është e vështirë për dikë të ketë pasur kaq mandate dhe të mos ketë ndërmarrë reformat që i janë dashur Shqipërisë. Nëse nuk ndërmerr nisma për demokratizimin e vendit do mbahet mend si ai që ka shpërdoruar më shumë. Për 5 njerëz i ka përdorur aftësitë, nuk janë përdorur për mirë. Janë larguar qindra mijëra që nga viti 2013, kjo nuk është e mirë”, u shpreh ai për Ramën.
Për ish-kryeministrin Berisha, Lapaj deklaroi se ai ka të mirat e të këqijat e tij në rrugëtimin politik, por duhet të tërhiqej nga skena politike e t’i linte vendit mundësi për një stafetë të re.
“Ka të mirat e të këqijat e veta në rrugëtimin politik. Në gjykimin tim vlerësoj karakterin burrëror të tij për faktin se jam rritur në një familje me këto cilësi, por mendoj që do duhet të ishte tërhequr nga skena politike e t’i linte vendit mundësi për një stafetë të re”, tha ai.
Sa i takon Lulzim Bashës, Lapaj tha se kreu i PD do duhej të merrte vendime të forta më herët, konkretisht për hapjen e garës dhe ndryshimin e kodit zgjedhor, pasi sipas tij i ka pasur mundësitë.
“Duhet të kishte marrë vendime të forta më herët. Politika bëhet me njerëz të cilët duhet të jenë aty për meritë, dhe jo se filani është i filanit. Duhet të merrte vendime për hapjen e garës dhe ndryshimin e kodit zgjedhor, i ka pasur mundësitë”, tha ai për Bashën.
Lapaj shprehu dhe opinionin e tij lidhur me figurën e Ilir Metës, duke thënë vetëm se “njeriu duhet të të kuptojë kohën e vetë dhe të kuptojë se sistemi ku jetojmë është një stafetë brezash”.
“Mendoj që njeriu në jetë duhet të kuptojë kohën e vetë dhe të kuptojë se sistemi ku jetojmë është një stafetë brezash dhe emrash. Edhe Enver Hoxha aq qëndroi në pushtet. Nuk besoj se presin të arrijnë rekordin e Enver Hoxhës. Njeriu duhet të kuptojë kohën e vetë”, tha Lapaj për ish-Presidentin.