Nga Agron Gjekmarkaj
Historia e këtyre viteve tranzicion na ka mësuar se në vitin e peste a të gjashtë, pushteti çmendet, ndonjëherë edhe në të katërtin! Arroganca bëhet kryefjala e çdo ligjërimi. Çmendet, more, çmendet ja pëlcet Zoti sytë! Ashtu ka ndodhur qysh në vitin 1996-1997! Zgjedhjet e manipuluara të 26 majit, dhunimi i opozitës në shesh dhe piramidat në apogjeun e vet ishin simptomat se pushteti i Sali Berishës kishte luajtur nga fiqiri. Dukej qartë që s’kishte rrugë të gjatë për të bërë dhe ra. Në fakt, zilja kumboi kur u arrestua kryetari i PS-së, Fatos Nano.
Pastaj, siç dimë ne, shkuam në yrysh në stinën jakobine të gjakderdhjes, e shtrirë përgjatë pranverës 1997. Shenjat e asaj kohe nuk janë zhdukur ende. Në vitin 2001, qeveria e kryesuar nga Ilir Meta, pasi kishte tentuar të merrte peng dhe të arrestonte në mënyrë banditeske liderin e opozitës, Sali Berishën, një vit më pas manipuloi zgjedhjet, duke i rrëmbyer Partisë Demokratike 17 (shtatëmbëdhjetë) mandate me Gjykatën Kushtetuese, e cila në fakt ishte thjesht një turp kushtetues. Arroganca e atij që vetë shkruan e vetë vulos në ballin e vendit vuri edhe firmën, edhe vulën e saj në fytyrën e një shoqërie depresive.
Qysh ditën e fitores, nisi rënia e pashmangshme. Të paktën Nano nuk u përpoq t’i manipulonte zgjedhjet. Pranoi rrotacionin dhe iku pas humbjes. Katër vitet e socialistëve ishin një periudhë korrupsioni dhe intrigash. I erdhi radha PD-së dhe aleatëve të saj të rivinin në pushtet. Kater vitet e tyre të para shënuan një sërë arritjesh. Berisha, në vitin 2009, organizoi zgjedhje të mira. Rezultati i tyre e ndau politiken në dysh, 70 mandate djathtas dhe 70 majtas. Qeverisja e PD-së me LSI-në, e cila katër mandatet e veta i çoi drejt PD-së, duke krijuar “koalicionin për integrim”.
Zakonisht, në momentin kur janë të dobët, politikanet shqiptarë përdorin gjuhë të fortë. Me këso “krismash” filloi kjo qeverisje, e cila në janar të vitit 2011 menaxhoi me arrogancë ngjarjet e dhjetor– janarit, të cilat degjeneruan në protestën e datës 21, ku mbetën të vrarë katër protestues. Ndërmjet vitit të pestë, duke filluar i gjashti, dukej qartë se pushteti vuante nga depresioni dhe nervat nuk e mbanin. Kjo maxhorancë qeverisi edhe dy vite, por në fakt ajo ra në janar 2011. Në qershor të vitit 2013, pushteti ndryshoi me një milion “shpulla” dhe Edi Rama u bë Kryeministër.
Ai, pa asnjë ekuivok, me sinqeritet çarmatosës, na tha i sapodalë “nuse”, që “s’keni parë gjë akoma”. Nuk zhgënjeu. Arrestoi me mijëra njerëz me hak e pa hak. Lulëzoi hashashi dhe koncesionet. S’mbet njeri pa ia thënë, po i quajti “garuzhde”, “kazan”, “baltë”! Në fushatë, shumëkush mendoi se kishte ndodhur mrekullia. Rama u paraqit i përunjur, gazmor e hokatar. Vërtiti “timonin”, “tepsinë” e me muzikën e tyre, shto edhe ndonjë ndihmë nga hashashi, fitoi zgjedhjet. Duke gjykuar nga mbledhjet e fjalimet, me të cilat qerasi miletin pas zgjedhjeve, pati nga ata që besuan se u bë esnaf dhe i arsyeshëm. Tani vetëm do përpiqet të lërë gjurmën e tij.
Idhtarët besonin se gjenialiteti i andrallosur nga rrethanat, tani do shpërthejë si përrua malor drejt e në lumin e shpresës. Por kishte qenë një iluzion. Në vitin e pestë, disa ngjarje i ranë kambanës. Çështja e Saimir Tahirit, imuniteti politik që ai mori, Teatri e kullat në Tiranë, si dhe protesta në Rrugën e Kombit. Me një arrogancë fyese, ai i konsumoi të gjitha këto ngjarje.
Te më e fundit, Kryeministri vuri një taksë absurde për të gjithë ata që e frekuentojë rrugën për Kosovë. Pesë euro, që në fakt janë dhjetë se ata që shkojnë, edhe kthehen, janë një grabitje e vërtetë, qoftë për kosovaret, qoftë për banorët këtej kufirit. Kësaj radhe, Rama mbeti në tunelin e Kalimashit. Dështimin e mujsharisë së tij e pa live ne televizor. Atëherë kur nuk e priste, mori një reagim popullor të pazakontë. Është hera e parë që ai ndeshet me një gjë të tillë gjatë qeverisjes së tij. Me gjasë, durimi ka një limit. Rama nuk u konsultua me askënd nga faktorët që preken nga kjo masë.
Ministri i tij i Ekonomisë është një i diplomuar në Anglisht. Se ç’lidhje ka me ekonominë, askush s’e di. Tarifa e vendosur duket qokë e pastër në kurriz të njerëzve të thjeshtë. Ajo është e papërballueshme, aspak logjike. Protesta u shoqërua me ndëshkime policore si në diktaturat e vendeve latine.
Në një fazë kur bizneset mbyllen dhe investimet bien në mënyrë drastike, qeveria shtrydh qytetarët e zakonshëm, duke i goditur drejtpërdrejt në xhepin e tyre të varfër. Kur reagojnë, i burgos. Rama ka deklaruar që këso tarifash do të vendosë gjithandej. Këto janë shenja që arroganca po e konsumon vetveten, duke kaluar drejt kufijve të çmendurisë. Pas çmendurisë s’ka gjë tjetër. Aty nis rënia. Problemi ynë është se pushteti, kur bëhet opozitë, nuk reflekton, nuk ndreq asgjë, veç pret çmendjen e radhës me shpresën se e harrojmë çmendjen e saj të dikurshme./Panorama