Nga Besi BEKTESHI  

Sot, SHBA-të kanë një model të njohur për pasurinë e madhe dhe futjen në politikë si multimilarderi Donald Trump, që në shumë aspekte është si vëlla binjak me Berlusconin në Itali. Megjithëse duhet të them, se me këto që dëgjohen dhe shikohen te amerikani, Silvio është “yll” dhe kaluar yllit?! Unë së paku kështu them!  

Ka kandiduar për krahun konservator apo republikan dhe nuk ka lënë njeri pa fyer si politikan Trump-i, por kjo nuk është gjëja kryesore, ai thotë se: Nuk kam nevojë për lekët e askujt, kam të miat, jam shumë i pasur, vërtetë i pasur?! Po, pothuaj si Berluska në vitin 1994, megjithëse dallimi është i madh, sepse Silvio kishte një parti, kishte ndërtuar shpejt një të tillë, e cila e çoi në fitore. Trump, ose në shqip “tramp” që duket sikur ngatërrohet me “trap” nuk ka një të tillë…realisht të vetën.

Kanë të përbashkët thotë Antonietta Demurtas që nga “mbjellja e flokëve te Silvio te një përshtatje flokësh shumë e shtrenjtë tek Trump”. Të dy kanë sharë femrat e ndryshme dhe po ashtu kanë pasur histori dhe martesa me femra shumë më të reja, se sa mosha e tyre. Kaq “Tramp” është pikërisht Trump, sa njëherë paska thënë se po të mos ishte e bija Ivanka Trump (shikoni se çfarë emri sllav ka) do të kishte tentuar të dilte me të. Trump ka teorinë e “Make America great Again” që në fund të fundit do të thotë të “bësh edhe njëherë ëndrrën amerikane”. Por ai është kundër të gjithëve. Ai sulmon Kinën, Meksikën, John Mçain, Hillary Clinton etj. Kurse për Obamën thotë se është një “Cheerleader” dhe jo lider, po pra, një nxitës tifozash me tepër! Deri sa për Mçain që luftoi në Vietnam dhe qëndroi e u torturua në burgjet atje thotë “nuk është një hero”, kuptohet qartë se në çfarë pikë arrogance në jetëzim, është ky tipi për President i SHBA-ve. I ka prishur të gjitha punët me meksikanët dhe komunitetin e tyre, sepse iu ka thënë “të droguar dhe përdhunues” dhe pastaj “lan m..me sh” dhe jo thotë se: Ma io amo i latinos…?! Të gjithë flasin për Trump-in dhe vazhdojnë të flasin, dhe pse askush nuk e do në SHBA. Edhe shtypi kundër, po i bën një të mirë si dikur Berlusconit, sepse a mban në fokus, dhe në krye të sondazheve deri tani.  

Gjithsesi shumë analistë e konsiderojnë gabim një nënvleftësim të tij, dhe mbase kanë të drejtë për “botën e marrë që po duket gjithmonë e më shumë”! Dikush e ka konsideruar person “lakuriq dhe të pa bërë”, i cili do t’iu pëlqente shumë kujt të mërzitur nga administratat në përgjithësi. Dikur Silvio bënte dhe kishte TV, kurse Donaldi bën show TV, dhe mund të konsiderohen “Self Made Man” dhe deri diku është e vërtetë, se ato kanë mundësi të ndërtojnë vetë në TV, njeriun që duan ose pëlqejnë të jenë. Njerëz të tillë, hyjnë në politikë dhe është e vështirë të dalin. Në perëndim është shumë e vështirë, se në lindje kur janë, bëhen autokrat-diktatorë, ose nuk lejohen si në rastin e Rusisë së Putinit.   

Por pyetja është nëse është e vërtetë se “pasuria e madhe është garanci për ndershmërinë”?! As Silvio as Trump, nuk janë bërë me ndershmëri (ka akuza nga çdo anë për të dy miliarderët) dhe pa probleme të mëdha financiare dhe ekonomike, pavarësisht suksesit të lejuar dhe vijimit të tij në mënyrë të dyshueshme.   

Gjithsesi a mund të jenë tipat e tillë, një garanci për pastërti dhe jo korrupsion në drejtimin, riformimin e një shteti së të drejtës, por dhe ndershmërinë e individit sipër shtetit?! Nga viti 2005 Fatos Nano, shpiku erën e të pasurve në politikë. Ishte dhe më përpara, por Nano e legjitimoi tërësisht. E ku? Në një vend ku dihej se shumica e tyre ishin pa arsim, të një biografie të mbytur me kontrabandë dhe antiligj dhe nga origjina e dyshueshme si pasurim dhe sidomos …QYTETËRIM..! Është pasuruar dhe stërpërdorur, por dhe janë larguar nga PD-ja disa tipaçë që sigurisht kanë përfunduar në PS. Nuk kanë shumë lidhje me Silvion dhe Trump, se sa me tipa orientalë që nga tetëvjeçarja dhe mafia apo kontrabanda, kalojnë në politikë duke thënë parullën e madhe se : Ishim të pasur dhe pastaj u bëmë politikanë prandaj jemi të …ndershëm!? E kundërta e politikanëve që bëhen të pasur në politikë. E kjo sillet dhe shitet si një “medaljon i madh biografie të mirë” për tipa të sajuar politikisht si të pasur. Po pra, sepse pa politikën dhe policinë, pa gjykatatat dhe prokuroritë e qelbura, nuk do kishin mundësi të bënin këto pasuri të stërmëdha pa ju hyrë ferrë në këmbë.   

“Tramp-at” tonë kanë të përbashkët në mbi 90% të rasteve ju shkollimin dhe kontrabandën. Pastaj dhe krimin, dhe vetëm një pakicë e pakicës, mund të jenë bërë vetëm si pasojë e një “lehtësimi politik” të një politikani apo partie të veçantë. Pjesa më e madhe (jo të gjithë) janë arrogantë, edhe për natyrën e një populli që ka zakon të respektojë më shumë një të pasur qoftë dhe maskara, se sa një profesor të respektuar universiteti apo gjimnazi, apo një artist dhe piktor të madh tipat e tillë prosperojnë. Shkollat i kanë marrë sigurisht, duke mos pasur shumë herë të mesmen. Dihet shumë mirë se kush janë. Kanë bërë linjat e tyre, bizneset, televizionet e tyre, gazetat e tyre, miqtë e tyre në gjykata dhe prokurori, por dhe lobet në politikë në deputetë të veçantë, si të njërës palë dhe tjetrës. Sepse, kur iu është dashur puna diku, kanë shpenzuar mirë e mirë. Nga ana tjetër, ka të pasur të shumtë që sigurisht kanë ndershmëri dhe model të pastër, por janë sabotuar në votime, ose nuk duan të futen në politikë, sepse e dinë se është shumë e vështirë të rregullojnë të keqen e madhe që kanë bërë tipaçët e përshkruar më sipër, me figurën e deputetit të pasur. Nuk munden të mbajnë në shpinë si ndonjë vrasje si ato, si kontrabandë nafte dhe cigaresh si ato, si ndonjë vjedhje e vjetër qoftë dhe banke apo diçkaje tjetër, si ndonjë manovër me trafik etj., etj. Pasurimi te ne në saj të këtyre tipave, ka bërë që edhe ato sipërmarrës të mirë dhe të ndershëm, të paragjykohen sa marrin pjesë në politikë. Kaq shumë e kanë dhj..rë politikën të tillë tipa. E sigurisht ato janë lejuar nga politikanët, dhe dikush i ka ndihmuar apo i ka përdorur. Kjo lojë sigurisht duhet të marrë fund. Nuk bëhet vendi me sharlatanë, injorantë dhe horra të pasur. Ai bëhet nga politikanët me vizion qofshin dhe të pasur, por që nuk janë horra dhe nuk kanë bërë horrllëqe. Ky është dhe në fakt “dekriminalizimi”, sepse vendin gati e kanë zënë keq për fyti të tillë tipa.  

Ato kanë bërë të mundur dhe futjen në kuvend edhe të disa shokëve të tyre si më përpara dhe mbas tyre. Jo, pasuria nuk është garanci për ndershmëri. Për ndershmëri garanci është vetëm pastërtia e figurës së individit dhe bëmat e tij. Asgjë tjetër, nuk garanton ndershmërinë e një njeriu në politikë përveç biografisë së tij të ndershme në punë, shoqëri, shkollë dhe familje. Askush tjetër!

Marrë nga gazeta “Sot”, 8 gusht 2015