Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, gjatë fjalës së saj në Kuvend, u shpreh se me Buxhetin e 2022 do të financohen 27 miliard e 850 milionë lekë për programet e mbrojtjes sociale për shtresat në nevojë.
Sipas Manastirliut, buxheti 2022 parashikon rritjen e masës së ndihmës ekonomike për çdo familje në nevojë.
Ajo tha se tha se për vitin 2022 janë parashikuar të trajtohen me pagesa të aftësisë së kufizuar më shumë se 164 mijë persona, përfshirë edhe kujdestarë të personave me aftësi të kufizuar dhe invalidët e punës.
Ndërkohë, sipas ministres do të vijojë konsolidimi i Programit të Bonusit të Bebes, si një program universal i mbrojtjes sociale për çdo të porsalindur.
“Buxheti 2022 është buxheti i qytetarëve, që rrit mburojën sociale për ata që janë më vulnerabël. Do të financojmë me këtë buxhet mbi 27 miliard e 850 milionë lekë për programet e mbrojtjes sociale. Rritja e mburojës sociale do të shkojë direkt për familjet në ndihmë ekonomike. Çdo familje pjesë e skemës së ndihmës ekonomike do të ketë 10% rritje të pagesës me buxhetin 2022. Do të dyfishojmë ndihmën ekonomike për 15 mijë familjet e kësaj skemë që kanë 3 fëmijë deri në 18 vjeç. Do të trefishohet masa e ndihmës ekonomike për fëmijët me status jetimi dhe për gratë e trafikuara dhe me urdhër mbrojtje.
Përsa i përket shtrirjes së reformës së aftësisë së kufizuar, planifikohet që me buxhetin e vitit 2022 kjo skemë e re e vlerësimit të ri të klasifikimit sipas kritereve ndërkombëtare të OBSH, të mbështetet nga buxheti i shtetit në vlerën 16 miliard e 790 milionë lekë. Do të përfitojnë më shumë se 164 mijë persona, përfshirë këtu edhe kujdestarët e personave me aftësi të kufizuar dhe invalidë të punës.
Mbi 2 miliard lekë është financimi i parashikuar për programin e konsoliduar të Bonusit të Bebes, ku më shumë se 30 mijë fëmijë në vit përfitojnë nga 40 mijë-120 mijë lekë”, tha Manastirliu.





