Durrësi është kthyer në një destinacion të preferuar për qytetarët e Britanisë së Madhe, fakt ky që e konfirmoi edhe tabloidi britanik “The Sun” disa ditë më parë, kur shkruante se rezervimet janë rritur me një shifër marramendëse prej 224% krahasuar me vitin e kaluar.

Mes turistëve anglezë që kanë ardhur në Durrës është dhe Chika dhe Lois, prindër të 3 fëmijëve, të cilët kanë zgjedhur qytetin bregdetar për të festuar 10-vjetorin e martesës.

Së bashku me ta kanë ardhur edhe 20 të afërm të tyre.

“Erdhëm të celebrojmë 10-vjetorin e martesës. Këtu po kalojmë në mënyrë fantastike, sepse njerëzit janë shumë miqësorë, ndërsa bregdeti është shumë i bukur. Kemi ardhur dje dhe do të qëndrojmë 5 ditë”.

“Vendin e zgjodhi gruaja ime. Keni një vend fantastik, kulturë dhe site arkeologjike, që ia vlen ti vizitosh. Jam shumë i kënaqur me zgjedhjen që bëri Lois, sepse dhe fëmijët po kënaqen në plazh”,- tregojnë Lois dhe Chika për “DurrësLajm”..

Motra e nuses ishte njohur me Shqipërinë përmes Instagramit, por realiteti nuk e ka zhgënjyer aspak.

“Disa miq të mi kanë qenë këtu dhe më kanë folur mirë për vendin tuaj. Pashë shumë video të Shqipërisë në Instagram para se të vija dhe nuk u zhgënjeva aspak nga ajo çfarë gjetëm këtu”.

Për këta shtetas britanikë, me origjinë nga Nigeria, Shqipëria është një destinacion që nuk duhet lënë pa vizituar. Rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve anglezë e konfirmojnë edhe operatorët turistikë.

“Turistët britanikë kanë qenë një risi këtë vit dhe gjëja më e mirë është se anglezët po e shohin Shqipërinë si një destinacion shumë të rëndësishëm. Kjo shihet në bazë të rezervimeve dhe kërkesave që kanë ardhur në rritje”,– thotë Blerim Norja, administrator i një hoteli të njohur në plazhin e Durrësit.

Përshtypjet e turistëve britanikë për bregdetin tonë janë mjaft të mira dhe duket se këto numra shumë premtues rezervimesh do të vijojnë edhe vitin e ardhshëm.

M.B.