Nga çfarë ka marrë frikë policia e Durrësit? Nga gazetarët, nga banditët, apo nga ministri? Nga mediat apo banditët me armë?

Kjo pyetje më lindi 24 orë pasi një ngjarje shumë e rëndë u shënua në Durrës, dhe askush, nuk e mori vesh në kohë.

Në ndryshim nga gazetarët e rretheve të tjera, në Durrës ka gazetarë kurajozë dhe punëtorë, që për çdo ngjarje sado e rëndë apo makabre, sado e vështirë apo konfliktuale të jetë, ata shkojnë atje, rrezikojnë dhe hedhin dritë, për aq sa munden. Shpeshherë aty ku ndodh konflikti, një pengesë e madhe bëhet edhe vetë policia e cila iu vë perimetër shumë të largët gazetarëve që raportojnë nga vendi i ngjarjes. Ndodh që punonjës policie pa eksperiencë shpesh krijojnë  edhe konfilite me gazetarët në vendngjarje.

Por rasti i dy të moshuarve që kanë lebetitur fort ndërsa gdhihej e hëna, u tentua të mbetej në hije, e të mos merrej vesh nga opinioni publik.   

Në orën 05:30 tek Ura e Dajlanit ndodhi një aksident me vdekje, njoftim të cilin policia e shpërndau që në mëngjes për të gjithë mediat. Policia e Durrësit shpërndau edhe njoftime të tjera gjatë ditës për ngjarje të ndryshme, por për ngjarjen e rëndë ku dy të moshuar u torturuan dhe u grabitën në mënyrë flagrante, nuk u shpërnda asnjë rresht njoftim.

Për të gjithë ditën asnjë rresht njoftim në Whatsapp-in e grupit të gazetarëve të cilët janë mësuar në këtë grup të marrin njoftime edhe nga më të parëndësishmit.

Asnjë germë për dy të moshuarit.

Policia e Durrësit me një njoftim në komunikatën zyrtare të policisë së shtetit, tentoi të kalonte “lumin” me median.  

Po nga kush ka frikë policia e Durrësit?

Ka frikë nga mediat që do të bëjnë publike ngjarjet? 

Policia dërgon njoftim e arrestim me pamje e informacion për të ndaluarit e të arrestuarit. Mirë bën që i ndalon, se punën e saj bën. Por në rastin konkret pse heshti?

Në fund të fundit edhe të moshuarit e gjithë Durrësit e jo vetëm, do e marrin vesh që tre persona me armë e të maskuar janë të lirë, e do sigurojnë mirë dyert kur të flenë. Apo policët kanë  frikë nga banditët? Ata pasi kanë bërë gjëmën kanë çarë ferrën e kanë lënë targën!

Ka frikë se e merrte vesh ministri?

Policia prandaj është, që kur ka ngjarje të shkojë e të vërë para drejtësisë autorët?

Për çfarë arsye policia fsheh ngjarjet? Nuk është justifikim se në mbrëmje ngjarja është dhënë në komunikatën e policisë së shtetit, kur për ngjarjet shumë më pak të rëndësishme policia azhornon po këtë komunitet mediash në Whatsapp. Policia ka detyrimin ligjor që të japë komunikatë për mediat e publikun. Në polici janë një duzinë me punonjës që paguhen për të bërë këtë punë. 

K.H.