Nga Blendi Fevziu
Kreu i PS-së dhe Kryeministri i vendit ka nisur një tur fundjavash nën një emër shumë simbolik: Të pastrojmë Shqipērinë! Vështirë të thuash se ai ka parasysh pastrimin real të një vendi, që deri më sot ndotjen e ka dimensionin më problematik të shoqërisë. Një vend i mbytur nga papastërtia, dhe mungesa e çdo rregulli dhe higjene. Mbetet që sllogani i tij të ketë më shumë vlerë simbolike.
Atëhere nga kush do ta pastrojë Shqipërinë Edi Rama? Nga konkurentët e tij të opozitës? Po ai u përball me ta në zgjedhjet lokale dhe zgjedhjet e radhës janë afro një vit e gjysmë më vonë.
Nga konkurentët e tij brenda partisë? Vështirë ta thuash këtë sepse për momentin ai ka vetëm nje kontestator të deklaruar, Ben Blushin. Dhe me të nuk ka ndonjë situatë ende problematike. Dhe nuk ngjan realiste të mendosh që një Kryeministër bllokon fundjavat e tij dhe bën qindra kilometra për të bindur shqiptarët, që Blushi e ka gabim.
Nga ana tjetër, vështirë të kuptosh se si një Kryetar Partie nis një tur në një moment që nuk përputhet me asnjë zhvillim të rëndesishëm. Zgjedhjet sapo kanë mbaruar. Ai e bëri turin e tij elektoral. Zgjedhjet e ardhshme kanë ende kohë. Turi i tij paraelektoral pritej të niste në vjeshtën e 2016, një vit përpara zgjedhjeve, por ai e ka nisur këtë dimër dhe me një titull emblematik.
Një tur që me shumë ngjan si një organizim elektoral dhe mobilizon partinë. Dhe e ka nisur në një moment që ka mjaft punë për të qeverisur vendin.
Atehërë nga kush do ta pastrojë Shqipërinë Edi Rama? Për t’i dhënë një përgjigje kësaj pyetjeje duhet hyrëe në terrenin e spekullimeve analitike.
Nuk është fare çudi që Rama ka nisur këtë tur në një moment të pazakontë dhe me një titull simbolik duke pasur parasysh zgjedhjet e parakohshme. Nuk është çudi që pastrimi i Shqipërisë të ketë parasysh në fakt pastrimin e qeverisë nga LSI. Llogjikisht do të ishte kështu. Kryeministri gjendet në kurth nga raporti me LSI-së. Konflikti i Shtator – Tetorit me Metëen (që për hir të së vërtetës eshte ende prezent në një nivel më pak të dukshëm) duket se e ka bindur Ramën se vijimi i mëtejshëm është zvarritje, por jo qeverisje. Ekzekutivi është ndare më dysh dhe PS s’ka autoritet mbi LSI-në, ndërsa LSI as e pyet PS-në. Bashkëpunimi mes tyre në fakt është shndërruar në barcaletë dhe Rama duhet të jetë në dijeni të kësaj. PS dhe LSI janë të dënuar të jenë bashkë matematikisht, por njëkohësisht janë të dënuar të mos qeverisin. Ajo që nisi si një qeverisje e përbashkët është shndërruar në një karikaturë të përbashket!
Për të gjitha këto arsye Rama mund të jetë duke u përgatitur për zgjedhje të reja në Qershor. Zgjedhje, ku vështirë se palë do të ndërtojnë koalicione parazgjedhore, por ku mund të masin forcat realisht.
Edhe situata e përgjithshme favorizon këtë. Opozita është në protesta dhe kërkon zgjedhje. Rama ka zbritur ne bazë duke u marrë më shumë me partinë se sa qeverinë.
Meta mban qëndrime thjesht dhe vetëm elektorale. Atëherë zgjedhjet mund të jenë një zgjidhje për të gjithë. Edhe për të parë se nga kush realisht do të pastrohet Shqipëria!
/opinion.al/