Ka përfunduar procesi i numërimit të votave për kandidatët në bashkinë e Shijakut dhe në atë të Krujës.
Nga 54 qendra votimi në Shijak, deputeti socialist, Jurgis Çyrbja ia ka dalë të marrë numrin më të madh të votave, 2658, ndërsa ndiqet nga kreu i PD Shijak dhe kandidati, Rezeart Tusha me 2566 vota. Diferenca mes tyre është goxha e ngushtë, vetëm 92 vota.
Deputeti i PS, Ilir Ndraxhi ka marrë 2207 vota ndërsa zhgënjen kandidati i PD-AN, Agron Duka i cili në zonën e tij ka marrë një shifër të ulët votash, vetëm 728.
Nga 92 qendra votimi në total, në Krujë nuk ka aspak surpriza sa i përket socialistit Rrahman Rraja, i cili i konsideruar si një makineri votash në këtë zonë, ka siguruar 7099 të tilla. Ndërsa pas tij në radhët e socialistëve vjen Denis Deliu, kandidati i 13 në listën e PS me 2651 vota.
Ndonëse me diferencë të thellë me socilistin Rraja, kandidatja e PD, Andia Ulliri mbetet më e preferuara mes demokratëve të Krujës, duke marrë 4993 vota.
Pas saj vjen kandidajta e tretë e listës së PD-së, Merita Bakiu me 2789 vota dhe 1836 kanë shkuar për kandidatin e 13-të të demokratëve, Selman Tema.





