NAJROBI- Raportohet se së paku 41 persona janë vrarë nga dhuna e fundit ndërmjet dy grupeve fisnore në pjesën juglindore të Kenias. Këtë numër të të vrarëve e ka raportuar mbrëmë Kryqi i Kuq, i cili, po ashtu, ka thënë se 35 të tjerë po trajtohen në spital nga plagët.

Policia lokale tha se anëtarët e fisit Pokomo, të armatosur me pushkë, shtiza dhe shpata, gjatë natës i kanë sulmuar pjesëtarët e fisit gjysmë nomad Orma, që i kishin kullotur kafshët e tyre diku në afërsi, transmeton Rel.

Këto dy fise e patën sulmuar njëri-tjetrin në muajin gusht dhe shtator, kur u vranë më se 100 vetë.

Kombet e Bashkuara dhe SHBA-ja kanë dënuar përtëritjen e dhunës.

Shpërthimi i mbrëmshëm i armiqësive ka shtuar shqetësimet në Kenia për trazira të reja para mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në mars të vitit 2013.