DURRËS, 10 prill 2014 –  Z. Arqile Gorea tani e tutje është shef prapavije dhe z. Arben Ibroja shef llogarie në selinë qendrore të PDSH-së, kështu ua shpërblen përkrahjen z. Lulzim Basha, duke i ngritur në përgjegjësi dy fytyrat blu të Durrësit.

E përditshmja afër opozitës “Gazeta shqiptare”, në numrin e saj të 10 prillit 2014, njofton se Partia Demokratike hedh hapa konkretë drejt një strukture të re dhe riorganizimi të ri pas kalimit të saj në opozitë.

Sipas GSH-së, kreu demokrat Lulzim Basha po krijon një ekip të ri drejtorësh për çdo fushë, ndërsa e ka nisur me dy emërimet e para.

Ky nder u takoi dy fytyrave më pro Basha-Berishës nga Durrësi: Arqile Gorea do të jetë drejtor i logjistikës (shqip: prapavijë) dhe Arben Ibroja drejtor i financave / kryellogaritar.

Info 1/ Arqile Gorea

Mban titullin “Durrsaku”, dhënë nga shoqata “Durrësi”.

Më 7 dhjetor 2012, Presidenti i Republikës, z. Bujar Nishani (nga Durrësi) e ka dekoruar me urdhrin “Mjeshtër i Madh i Punës”.

Ish- drejtor i kantinës së pijeve alkoolike “Gjergj Kastrioti”.

Ish-kryetar i bashkisë së Durrësit.

Ish-drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i kompanisë shtetërore të Postës Shqiptare Sha.

Është administrator i televizionit vendor Adria-Net.

Është adhurues dhe mbështetës i kryepeshkopit grek të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë Anastas Janullatos.

Info 2 / Arben Ibroja

Koordinator i selisë qendrore për zgjedhjet në degën e PD-së Durrës.

Ish-oficer në Gardë dhe truprojë e ish-presidentit Sali Berisha.

Në vitin 1997 në radhët e Shërbimit Informativ Kombëtar.

Në vitin 2003 komisar policie në aeroportin e Rinasit.

Në vitin 2006 në krye të Doganës së Durrësit.

Në vitin 2009 u transferua në doganën e Lezhës, por vetëm dy muaj më vonë u rikthye sërish në doganën e Durrësit

Në vitin 2011 drejtor i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, ku kundërshtoi bankën shtetërore gjermane KfW për tenderin e ndërtimit të linjës së transmisionit 400 kilovolt mes Shqipërisë dhe Kosovës.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/