11shtator 2015 – Valltarët e Qendrës Kulturore për Fëmijë në Durrës ndriçojnë sheshin “Zahir Pajaziti”, në Prishtinë. Janë 22 fëmijë, të cilët marrin pjesë në edicionin e 14 të Festivalit Ndërkombëtar Folklorik, i cili po mbahet nga data 10-14 në kryeqytetin kosovar.

Përgjegjësi i grupit, njëkohësisht koreografi i njohur, Arian Plaku, tregon për portalin “DurrësLajm” se fëmijët janë të ndarë në 11 çifte, të cilët do të performojnë me kostumet shumëngjyrëshe në sheshin kryesor të Prishtinës. Bashkë me grupin e Durrësit, përfaqësues i Shqipërisë në këtë eveniment, janë dhe grupet kosovare, të Turqisë, Kroacisë, Malit të Zi, Bullgarisë dhe Maqedonisë.

Valltarët e vegjël durrsakë e kanë nderuar jo vetëm qytetin, por edhe mbarë vendin në çdo aktivitet ku kanë qenë të pranishëm.

/portali DurresLajm/