Ditën e sotme, Torra Veneciane pati disa vizitorë të veçantë. Me dhjetëra fëmijë të ciklit fillor të shkollave 9-vjeçare të qytetit u bënë pjesë e një eksperience unike kulturore, ku historia, kreativiteti dhe komuniteti u bënë bashkë.
Projekti “Nga e shkuara në argëtim” kishte për qëllim të transmetonte tek më të vegjlit rëndësinë e trashëgimisë kulturore mijëra vjeçare të Durrësit përmes lojërave të tavolinës, punëtorive dhe instalacionit të krijuar nga vetë nxënësit.
“Qendra ‘Durrësi Aktiv’ në bashkëpunim me MuzehLab, Qendrën Muzeore Durrës, Qendrën Komunitare Nishtulla dhe shkollat 9-vjeçare të qytetit kanë menduar të organizojnë një ditë të hapur të monumenteve me tematikë “Nga e shkuara në argëtim”. Ky projekt synon t’i sjellë fëmijët përmes lojës dhe metodave kreative më afër monumenteve, si dhe të njohin historinë e qytetit”,– thotë Livia Kreko, specialistja e komunikimit për qendrën.
Ndërsa muzeologia Inesa Sulaj thekson se ndërthurja e elementëve të trashëgimisë me ato artistikë u jep mundësi nxënësve ta interpretojnë ndryshe trashëgiminë kulturore.
“Në pjesën e parë të aktivitetit, fëmijët do të zhvillojnë lojëra tavoline me objektet dhe personazhet më të njohura të Durrësit, arkeologë, artistë, artizanë etj duke pasur në fokus edhe monumentet ekzistuese, por edhe ato të kthyera në rrënoja. Përveç kësaj do të ketë edhe dy punëtori, që lidhin pjesën e trashëgimisë me artin dhe kreativitetin duke përdorur materiale të riciklueshme”.
Duke shpalosur kreativitetin e tyre në bashkëpunim me njëri-tjetrin, nxënësit e shkollave 9-vjeçare kaluan një orë ndryshe mësimi dhe përvetësuan njohuri praktike që përforcojnë edhe më shumë edukimin kulturor të tyre dhe i orientojnë në eksplorimin sa më të plotë të qytetit 3000-vjeçar.
M.B.