Prezantim para mediave, firmë në kontratë, më pas një takim me administratën e FSHF-së, shumë foto dhe në fund një drekë në një nga restorantet luksoze të kryeqytetit shqiptar. Orët e Kristian Panuçit në Tiranë kanë qenë sa të bukura, aq të lodhshme.Telefoni i trajneri të ri kuqezi nuk ka pushuar së rëni pas orës 12:00. Me qindra mesazhe nga e gjithë bota. Natyrisht ish-mbrojtësi italian ka luajtur në klube ku lojtarët e kohëve të sotme ëndërrojnë të veshin ato fanella, duke filluar nga Milan, Inter dhe Real Madridi.

Burime pranë trajnerit treguan se në momentin kur ai sapo kishte nisur të drekonte, e telefonoi direkt kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Urime Kristian, jam i bindur që do të vazhdosh në rrugën e Xhanit. Të uroj suksese”,- ka thënë ndër të tjera kreu i qeverisë, i cili nuk ka ngurruar të bëjë edhe një urim special në profilin e tij zyrtar në Facebook, përpara se të komunikonte direkt me Panuçin.“Benvenuto Mister! Le të urojmë që trajneri i ri i kuqezinjve, Kristian Panuçi, një kampion i madh në fushë dhe një lider i ri në stol, do ta mbajë me sukses barrën e rëndë të trashëgimisë së De Biazit. FORCA SHQIPËRIA!”, shkruhej ndër të tjera në profilin zyrtar të kryeministrit të vendit.

Gjatë drekës me drejtuesit e FSHF-së, Panuçi ka pasur një telefonatë speciale me milanistë të njohur. I pari ish-administratori Adriano Galiani dhe i dyti ish-mbrojtësi e ish-zv.trajneri i Milanit, Tasoti. Me të dy ka një miqësi të hershme. Nuk kishte si të mungonte edhe një telefonatë e atij që dëshiron ta cilësojë si baba, pikërisht Fabio Kapelo. Ky i fundit ka folur në këtë periudhë edhe me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, teksa është munduar ta bindë për vlerat që ka Panuçi. 71-vjeçari e ka pasur ish-mbrojtësin si asistent te Kombëtarja e Rusisë, por gjithashtu edhe si lojtar në shumicën e skuadrave që ka drejtuar dy dekada më parë në Itali dhe Spanjë.