Ditën e sotme Partia Socialiste me kandidaten në garë për bashkinë e Durrësit, Emiriana Sakon, mbylli fushatën elektorale në qytetin bregdetar.

Mitingu përmbyllës u mbajt në shëtitoren “Taulantia”, një investim i trumpetuar shumë nga partia “mavi”.

Shëtitorja e Vollgës u mbush me simpatizantë e mbështetës të PS, por të pranishëm ishin po ashtu edhe figura të rëndësishme të politikës në Durrës dhe jo vetëm.

Në pamjet që sjell për “DurrësLajm” operatori Denis Simaku, shihen sekretari organizativ i PSSH Blendi Klosi, sekretari i përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri, si dhe deputetet Milva Ekonomi e Klodiana Spahiu, me të cilët Sako është parë shpesh në takimet e saj elektorale.

Të pranishëm ishin po ashtu ish-kreu i ALUIZNI-t, Flamur Gjuzi, nëndrejtori i NSHK-së, Soren Dedja, kreu i PS dega Durrës, Luan Zaza, si dhe kryebashkiaku Elton Arbana dhe deputeti Jurgis Çyrbja./K.Gj/DurrësLajm