Një ndërhyrje e zakonshme në mesfushë është kthyer në një sherr masiv në derbin e Kategorisë së Dytë mes Përmetit dhe Këlcyrës, luajtur te djelen në fushën e kësaj të fundit. Takimi ka degjeneruar në grushta e shkelma mes futbollistëve dhe është ndërprerë për 20 minuta, duke rrezikuar zhvillimin e mëtejshëm të saj. Këlcyra ka fituar 1-0 në takimin e djeshëm, i cili që në start ka qenë tejet i tensionuar, në fushë e në tribuna.
Sipas Gazetes Panorama Sport shefi i klubit të Përmetit, Ilir Hasimi, reagoi dje në lidhje me sherrin masiv që shpërtheu ndërmjet futbollistëve të Këlcyrës dhe atyre përmetarë gjatë sfidës së të dielës. 63-vjeçari, i cili më parë ka bërë rolin e gjyqtarit, është i drejtpërdrejtë në ato që thotë. “Lojtarët në fushë toleruan në momentin e golit të Këlcyrës duke e lënë vetë atë, për të dalë gjallë nga fusha dhe për të mos rinisur më ai sherr masiv që ndodhi. Këlcyra e donte medoemos atë fitore”, shprehet Hasimi.
Rrëfimi
“Megjithëse jam shef i klubit të Përmetit, vendosa që ta ndiqja takimin në Këlcyrë në rolin e vëzhguesit, duke qëndruar në këmbë pranë stolit të skuadrës përmetare. Që në fillim, 15-20 tifozë adoleshentë të Këlcyrës nisën të shanin dhe ofendonin në kor, në një kohë që e tregonin agresivitetin e tyre edhe me shprehje ‘bjeri, priji, goditi’, duke iu drejtuar futbollistëve të tyre që të godisnin ata të Përmetit. Që në fillim ra në sy gjykimi favorizues ndaj Këlcyrës dhe dua të them se disa arbitra të rinj bien pre e makinacioneve. Në një kohë që gjithçka ndodh në sy të vëzhguesit. Në fund të pjesës së parë, kryebashkiaku i Përmetit, Gilbert Jaçe, më merr në telefon dhe më thotë që t’u bëj të ditur arbitrave që të gjykojnë drejt, pasi lojtarët tanë po dëmtoheshin rëndë. Një prej tyre, pikërisht Çaushaj, i ka ende në trup shenjat e takave që i kanë lënë kundërshtarët. Në fillim të pjesës së dytë, pas përplasjes së dy lojtarëve kundërshtarë, Kamberit të Këlcyrës dhe Çaushajt të Përmetit, të cilët shkëmbejnë grushte mes tyre, në vetëm pak sekonda përfshihen në një sherr masiv të gjithë futbollistët e ekipeve. Më pas, unë personalisht nuk dëshiroja që lojtarët e Përmetit të hynin në fushë, por pas këmbënguljes së dy kryebashkiakëve, vendosëm që të luhej. Megjithatë, nuk di të them se kujt i duhet ky futboll që po luhet. Është e papranueshme e gjithë kjo që ka ndodhur”, – ka rrëfyer ngjarjen shefi i klubit përmetar.
Çfarë ndodhi
Në pjesën e parë të ndeshjes midis Këlcyrës dhe Përmetit luhet një futboll i fortë dhe ekipet krijojnë disa raste, por pa arritur të shënojnë. Në minutën e 55-të Kamberaj i vendësve dhe lojtari i huaj i Përmetit, Caushe Belo, përplasen mes tyre në mesin e fushës. Këtu nisin ofendimet dhe më pas goditjet me shkelma dhe grushte ndërmjet këtyre dy futbollistëve. Vetëm pas disa sekondash fusha shndërrohet në një arenë të vërtetë “lufte”, ku lojtarët e të dy ekipeve përfshihen në një sherr masiv dhe goditen me shkelma dhe grushte me njëritjetrin. Në këtë situatë përfshihet edhe publiku, që ofendon dhe hedh sende të forta në fushë. Futbollistët e të dy ekipeve hyjnë në dhomat e zhveshjes dhe ndeshja ndërpritet për 20 minuta. U desh ndërhyrja e shefit të klubit të Këlcyrës dhe e kapitenit të Përmetit, Bledar Hajredini, që lojtarët miq të riktheheshin në fushë, pasi ata kërkonin ndërprerjen e takimit.
Bashkia deklaratë për shtyp: S’ka pasur sherr masiv
Bashkia e Këlcyrës ka dalë në një deklaratë për mediat sa i përket ndeshjes Këlcyra-Përmeti. “Momentet e tensionit ishin episodike, midis lojtarëve të veçantë, dhe në asnjë rast nuk pati sherr masiv, ku të ishin përfshirë të gjithë lojtarët e të dy ekipeve. Titujt e lajmeve që e përshkruajnë këtë ndeshje nuk pasqyrojnë realisht atë çka ndodhi në fushën e lojës. Të ndikuar edhe nga ngjarjet e fundit të njohura për opinionin sportiv, por edhe për arsye që kryesisht nuk lidhen me sportin, mediat nxituan të botojnë lajme dhe tituj absurde e bombastike mbi ‘grushte’, ‘spitale’ dhe ndërhyrje të forcave të rendit për qetësim situate. E qershia mbi tortë e këtij absurditeti është prononcimi i kolegut dhe mikut tim, Kryetar i Bashkisë së Përmetit, i cili shprehet se lojtarëve të Përmetit iu rrezikua jeta dhe se ai paska kërkuar moslejimin e vijimit të ndeshjes, por që nuk i qenka bindur kapiteni i ekipit të tij. Në fakt, sherri i ndodhur është provokuar nga lojtari i Përmetit dhe të dy futbollistët e përfshirë janë ndëshkuar me karton të kuq. Mirëpo si pasojë e këtij sherri ka qenë pikërisht futbollisti i Këlcyrës që ka përfunduar në spital dhe asnjë nga ekipi mik nuk është lënduar, e aq më pak rrezikuar jeta. Publiku dhe tifozët vendës në asnjë rast nuk kanë hedhur sende në fushë, apo përfshirë në ndonjë formë në këtë sherr. Është rasti që unë t’i falënderoj publikisht të gjithë sportdashësit këlcyrjotë për qëndrimin korrekt të mbajtur gjatë gjithë takimit. Përgëzoj gjithashtu edhe stafin dhe drejtuesit e ekipit të Këlcyrës për qetësinë dhe maturinë e treguar për zgjidhjen e konfliktit së bashku me kapitenin e ekipit të Përmetit, futbollistin veteran Bledar Hajredini”, – ka
deklaruar kryetari Klement Ndoni.
/BalkanWeb/





