Një mega operacion u zhvillua dje nga policia që zbuluan bashkëpunimin e punonjësve të policisë së burgjeve me të dënuarit që merrnin drogë dhe sende të tjera të palejueshme në qeli.
Mes 28 personave të përfshirë është edhe emri i njohur i botës së krimit, Gazmir Braka, i njohur si “Gaxhai”, si dhe i arrestuari Hysni Ndreu, me detyrë shef i Paraburgimit Elbasan. Ndër emrat e tjerë të spikatur si të përfshirë në këtë mega operacion janë Arben Grori, Klajdi Gjeçi, Aleksandër Sinanaj dhe Aleksandër Llanaj.
Gazmir Braka, 50 vjeç, banues në Vlorë, krijoi në mars të vitit 1997 grupin e njohur si banda e Gaxhait. Ai së bashku me një grup shokësh nga qyteti i Vlorës, por dhe nga qytete të tjera, ndër ta dhe mjaft persona tashmë të vrarë, krijuan bandën që më pas do të njihej si banda e Gaxhait.
Në funksion të organizimit të kësaj bande të armatosur, shërbejnë dhe faktet që duke pasur si qendër fshatin Cerkovinë, anëtarët e bandës nuk kryenin asnjëherë veprimtari kriminale në atë fshat. Nga deklarimet e banorëve të fshatit, rezulton se Gaxhai së bashku me të pandehurit e tjerë, për të krijuar idenë e një grupi të organizuar që mbronte zonën herë pas here, ndihmonte me para njerëzit e fshatit. Gjithashtu, provohet se mjaft shtetas që kishin konflikte me persona të ndryshëm në Vlorë shkonin tek Gaxhai në Cerkovinë për t’ua zgjidhur problemet e tyre.
Mes te ndaluarve është edhe Arben Grori, i cili akuzohet se në bashkëpunim me zyrtarë të burgjeve arriti të fusë lëndë narkotike brenda qelive. Arben Grori, është dënuar me burgim të përjetshëm në vitin 1999 nga Gjykata e Pestë Penale e Milanos në Itali, vendim që u njoh dhe u la në fuqi më pas dhe nga Gjykata e apelit, po në Milano. Grori u gjet fajtor për vrasjen e Zyberit, në një spital në Milano, ku ndodhej i shtruar.
Po ashtu Klajdi Gjeci, mik i Emiljano Shullazit, i cili u kap në Tiranë për shitje narkotikësh në Maj të vitit 2020.
Ndërsa Aleksandër Sinanaj dyshohet si një nga grabitësit e një banke që ndodhet në lagjen “Hajro Çakërri” në qytetin e Vlorës.
Nga ana tjetër, në këtë bashkëpunim përfshihet edhe i dënuari Aleksandër Llanaj, i cili është shpallur fajtor për vrasjen e tre të rinjve në prill të viti 2015 në Vlorë e dhe është dënuar me burgim të përjetshëm e më pas me 35 vite burgim nga të tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri.
Akuzat që rëndojnë mbi këta persona janë trafikimi i lëndëve narkotike, futja e sendeve të ndaluara në ambientet e burgut, si dhe transmetimi i porosive nga brenda burgut për kryerjen e veprave penale.
/TCh