Ish-mesfushori i Teutës, Sherif Kallaku, u përzgjodh nga “RTSH” në formacionin më të mirë të vitit 2020-të. Futbollisti arriti të realizonte 14 gola me durrsakët, duke u shndërruar në një lider.

Në fillim të sezonit të ri, Kallaku u largua nga Teuta, për t’u transferuar te Lokomotiva e Zagrebit në Kroaci. Mesfushori bëri një rrëfim special për sezonin fantastik që la pas, teksa përzgjodhi edhe 2 golat më specialë për të.

“Mundëm t’i sillnim një trofe, ekipit të Teutës, që mungonte prej shumë vitesh. Realisht e rikujtoj shumë herë sepse ka qenë një ndër emocionet e mija më të mëdha. Unë jam tip i ftohtë në fushën e blertë dhe aty realisht kam ndjerë emocione të papara.

14 gola kanë qenë shumë për mua, duke marrë parasysh se gjithmonë në Superiore unë kam qenë në rritje, si nga loja po ashtu edhe nga golat. E kam pasur peng, se mund të shënoja edhe më shumë gola duke marrë parasy edhe 2 penalltitë e humbura në kampionat, apo ndonjë rast tjetër, gjithsesi ndihem shumë i lumur për këto gola.

Goli më special mund të them që është kundër Austrisë, me U-21 e Shqipërisë, nga goditja e dënimit. Kurse në kampionat do të veçoja golin në minutën e 95-të kundër Kukësit që barazuam 2-2. Duke marrë parasysh minutat, gjendja emocionale aty është akoma më e madhe. Edhe golin ndaj Flamurtarit që fituam 1-0 në “Elbasan Arena”, e vlerësoj nga ana teknike më shumë.

Tek U-21 arritëm të grumbullonim shumë pikë, si dhe bëmë fitoren më të thellë në historinë e Kombëtares Shqiptare U-21. Ftesa në Kombëtaren A për mua ishte një emocion shumë i madh. Ka qenë ëndrra më e madhe që në fëmijëri. Edhe debutimi gjithashtu ishte akoma një ndjesi më e madhe. Jam përpjekur të jap maksimumin dhe ta shpërblej atë fanellë.

Kur unë isha në Superiore, ëndrra ime ishte që të bëja një hap sa më të madh, të shkoja në një ligë Europiane. Kur e kujtoj tani edhe më mungon, por gjithsesi unë kam objektiva të tjera në jetën time. Dua t’i realizoj dhe të shkoj vetëm përpara.

Në të ardhmen, në një moshë më të madhe besoj do të rikthehem përsëri. Realisht më mungon!Shpresoj që në të ardhme të kaloj ngërçin në Kroaci dhe të rikthehem të shënoj sa më shumë gola”, u shpreh Kallaku.