Një shef shërbimi në spitalet universitare nuk mund të jetë drejtues i një spitali jopublik e po kështu edhe mjekët që ushtrojnë aktivitetin në një spital publik nuk do të mund të punojnë edhe në spitale private, të cilat kanë kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”. Gjithçka përcaktohet në kontratat e reja të miratuara nga FSDKSH me spitalet publike dhe jopublike për vitin 2016, ndërsa qëllimi është shmangia e konfliktit të interesit, duke ndarë drejtimin e shërbimeve shëndetësore publike nga ato jopublike, nga të njëjtët mjekë.

E thënë ndryshe, duke filluar nga janari 2016, një shef shërbimi në spitalet universitare nuk mund të jetë drejtues i një spitali jopublik, pra duhet të bëjë zgjedhjen e tij, nëse do jetë në shtet apo në privat. Për të përmbushur këtë detyrim, në kontratë është paracaktuar se: të gjitha spitalet universitare duhet t’u kërkojnë shefave të shërbimeve të plotësojnë deklaratën e konfliktit të interesit që ata nuk janë drejtues teknik në institucionet shëndetësore jopublike.

Shmangia e konfliktit të interesit është shtrirë më tej, duke përfshirë të gjithë mjekët që ushtrojnë aktivitetin në një spital publik dhe punojnë edhe në spitale private, të cilat kanë kontratë me Fondin për paketat e shërbimeve shëndetësore. Me kontratën e re, këta mjekë nuk do të lejohen të ushtrojnë aktivitet të pjesshëm ose të plotë në institucionet shëndetësore jopublike me shtretër të kontraktuara me Fondin. Një tjetër përmirësim i parashikuar në kontratën e re me spitalet jopublike lidhet me detyrimin e spitalit për ta ofruar shërbimin që ka kontraktuar Fondi nga personel shëndetësor me kohë të plotë, për të shmangur në këtë mënyrë edhe konfliktin e interesit nga stafi që punon edhe në institucionet shëndetësore publike.

Spitalet jopublike

Ndryshe nga viti i kaluar, me institucionet shëndetësore jopublike është hartuar një kontratë tip për të gjitha këto spitale, ku çdo paketë shëndetësore është vendosur në një aneks më vete, duke filluar nga dializa, paketat e kardiologjisë, paketat e kardiokirurgjisë; paketa e transplantit të veshkës dhe terapisë së flakjes akute si dhe paketa e shërbimit të implantit koklear, ku janë qartësisht të përcaktuara çmimet sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, protokolli mjekësor, etj. Ndryshimet e bëra në kontratat spitalore të vitit 2016 synojnë përmirësimin e marrëdhënieve të FSDKSH me ofruesit e shërbimeve shëndetësore, përmirësimin cilësor të ofrimit të shërbimeve për popullatën, planifikimin dhe administrimin me sa më shumë efikasitet të barnave dhe mjeteve diagnostikuese, përmirësimin e shkëmbimit të informacionit, rritjen e transparencës si dhe forcimin e rolit të kontrollit për shërbimet e ofruara./Gazeta Shqiptare