Nga janari i vitit 2016, Policia Rrugore do të aplikojë gjobat këshilluese me penalitet 0 lekë për shoferët që rezultojnë me shkelje të rregullave të qarkullimit për herë të parë. 

Ky fakt u bë publik nga ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në një takim me gazetarët me rastin e festave të fundvitit ku dhe u prezantua projekti "Polici Këshillues".

Por çfarë është gjoba këshilluese me vlerë 0 lekë?
Nëse aktualisht ndalohesh nga Policia Rrugore dhe nuk ke të vendosur rripin e sigurimit apo nuk ke respektuar një prej rregullave, gjobitesh sipas Kodit në fuqi.

Por me hyrjen në fuqi të projektit "Polici Këshillues", çdo shofer apo përdorues i rrugës i cili ndalohet dhe rezulton se shkelja e kryer është për herë të parë, drejtuesi do të konsiderohet "shofer pozitiv" dhe ndaj tij do të aplikohet gjoba këshilluese. Në rast të ndalimit për herë të dytë me të njëjtën shkelje, drejtuesi nuk do të këshillohet sërish, por do të dënohet me penalitet sipas Kodit Rrugor në vlerën monetare.

Gjoba këshilluese nuk do të aplikohet për shkelje, si thyerja e semaforit të kuq apo tejkalimi i shpejtësisë në zonat urbane.

Po ashtu, masat ndëshkuese do të aplikohen të klasifikuara për përdoruesit e rrugës në varësi të makinave që ata përdorin apo llojit të shkeljes që ata bëjnë. Dikush që ka 6 muaj me siguracion të skaduar do të gjobitet, por nëse siguracioni ka 1 ditë, 3 ditë apo deri 2 javë që ka skaduar, atëherë do të aplikohet këshillimi.

Ky projekt do të aplikohet në të gjithë Shqipërinë dhe patrullat e Policisë Rrugore do të pajisen me uniformat e reja dhe kamerat e trupit, kamera të cilat nuk do të komandohen nga polici, por nga salla operative. /Report Tv