TIRANË– Që prej muajit janar të vitit të ardhshëm, do të nisë funksionimi i një Task Force për monitorimin e aborteve dhe zbatimin e ligjit për ndërprerjen vullnetare të shtatzanisë, bëri të ditur sot drejtori i Politikave Shëndetësore në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero.
Task Force, sipas tij, do të monitorojë nivelin e aborteve dhe shkaqet se përse është thelluar pabarazia mes gjinive që në lindje. Statistikat e lindjeve në vitet e fundit flasin për një rritje të numrit të fëmijëve të seksit mashkull, kundrejt bebeve femra. Raporti i lindjes femra-meshkuj ka shkuar në 100 femra të lindura kundrejt 111 meshkujve.
“Nëse do të vazhdohet me këto ritme në 20 vitet e ardhshme do të kemi mbi 11 % meshkuj më shumë se femra”,- bëri të ditur demografi Arjan Gjonçaj në prezantimin e studimit “Raporti i paekuilibruar midis sekseve në lindje në Shqipëri”.
“Ndërprerja e shtatzanisë në vend rregullohet me ligjin “Për ndërprerjen vullnetare të Shtatzanisë”, ligj bashkekohor dhe i mbështetur mbi eskperiencat e vendeve te zhvilluara Europiane”,- tha Pëllumb Pipero.
Ligji parashikon në nenin 1 të tij respektimin e çdo qënieje njërëzore që në fillim të jetës. Ky parim nuk shkelet, përveç rasteve kur është e domosdoshme dhe në kushtet e përcaktuara në këtë ligj. Ligji ne nenin 1 te tij thekson se aborti ne asnjë rast nuk duhet të përdoret si metodë e planifikimit familjar.
Në ligj parashikohet ndërprerja vullnetare e shtatzanisë, me kërkesën e nënës deri ne 12 jave shtatzanie.
“Ligji garanton respektimin e çdo qenie njerëzore që në fillim të jetës së tyre, pra që në fazen e konceptimit. Shtatzania deri në 22 javë mund të ndërpritet për një sërë arsyesh shëndetësore, përfshirë edhe ato psikosociale të përcaktuara, në zbatim të ketij ligji nga Ministria e Shendetesisë. Në to nuk përfshihet aborti për zgjedhjen e seksit”, sqaroi Pipero.