Të gjithë ata qytetarë që duhet të marrin apo dorëzojnë dokumente në zyrat e administratës, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka shtuar listën e këtyre dokumenteve që mund të tërhiqen online në portalin e-Albania, si nga qytetarët, ashtu edhe nga institucionet publike të cilave u nevojiten ato.

Duke filluar nga java e ardhshme, asnjë institucion shtetëror, për nevojat e procedurave të veta, nuk do t’ua kërkojë më qytetarëve konfirmimin për gjendjen aktive të mjetit. Do jenë vetë institucionet që do ta bëjnë këtë verifikim përmes portalit online e-Albania.

Lajmi u bë i ditur sot nga ministri Damian Gjiknuri.

Autorizimi për rifitimin e lejes së drejtimit dhe vërtetimi për lejen e drejtimit, të cilat janë shërbime me pagesë do të kryhen nga qytetari online. Pra, përmes portalit e-Albania, çdo qytetar që ka nevojë për këto dokumente mund ta bëjë pagesën online dhe gjithashtu merr vërtetimin online.

Gjithashtu, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë është duke studiuar të gjitha aspektet ligjore me synim lehtësimin e procedurave dhe shërbimeve të tjera që kanë të bëjnë me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, me objektiv eliminimin e çdo mundësie për abuzim ndaj qytetarëve.