Durrës, 30 qershor 2014 – Nga Maqedonia në plazhin e Durrësit për të bërë ‘zanatin’ e hajdutit. Kjo ishte mënyra e zgjedhur nga një 24 vjeçar, shqiptar i Maqedonisë, i cili, në dallim nga bashkëkombasit e tij që vijnë në këtë  periudhë në Durrës për të pushuar, ai kishte ardhur për të vjedhur.

Duke përfituar nga fakti se gjatë fundjavës mijëra pushues popullojnë zonën turistike të Durrësit, 24 vjeçari Gëzim Berisha, nga Shkupi, ishte përqendruar pikërisht në lagjen nr.13, ku kishte marrë edhe një banesë me qira.

Gjatë të dielës, ai i ishte drejtuar plazhit të Durrësit si mijëra të tjerë, por në vend që të relaksohej dhe të pushonte, tregohej mjaft vigjilent për të pikasur plazhistët që nuk tregoheshin të vëmendshëm dhe i linin pa kujdes sendet e tyre personale në çadër.

Dhe pikërisht gjatë mesditës, kohë kur plazhistët nisin të përgjumen nga temperaturat e larta, Berisha ka vënë re çantën e krahut të një 46 vjeçari durrsak dhe në kohën që pronari i saj është ngritur për t’u freskuar 24 vjeçari është hedhur në ‘sulm’.

Ngjarja është regjistruar në sektorin “Apollonia” të plazhit të Durrësit. Sapo ka konstatuar grabitjen, viktima e ka denoncuar rastin në polici. Blutë e Durrësit kanë mundur të identifikojnë hajdutin dhe të lokalizojnë banesën e tij, ku dhe kanë realizuar arrestimin.

Brenda çantës së krahut ndodheshin 3000 lekë, të cilat hajduti i kishte konsumuar menjëherë, ndërkohë që nuk i kishte ‘dhënë duart’ ende dy celularëve të durrsakut, të cilat iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale.     

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/