Ata nuk e dinin se në çfarë peripecish po fusnin veten, edhe pse kredia që po firmosnin në një bankë të nivelit të dytë ishte një shumë gati e papërfillshme, thjesht për nevoja të tyre të konsumit të momentit.
Megjithatë, M.L dhe A. L, dy bashkëshortë me të ardhura modeste, nuk kishin nga ta dinin se ajo kredi e vogël prej 50 mijë lekë të reja, një ditë do tu kthehej në një barrë të shumëfishtë, vetëm për shkak të një neglizhence.
Ata mendonin se e kishin shlyer në vitin 2006, por një ditë, shumë vite më pas, përmbaruesit u sollën në derën e tyre për të mbledhur detyrimet në emër të një kompanie kredimbledhëse të këqija.
Kjo kompani kishte blerë borxhin e bashkëshortëve nga banka e nivelit të dytë. Ky ishte vetëm fillimi i kalvarit të gjatë të mundimeve me të cilat çifti i bashkëshortëve u përballën.
Pas mbledhjes së borxhit, kompania ‘Micro Credit Albania’ nuk u qëndroi vetëm te kjo veprimtari, por i shtoi edhe një kamatë çiftit të bashkëshortëve, e cila e rëndoi shlyerjen e kredisë.
Vlera e kredisë u rrit nga 50 mijë lekë të reja në 212 mijë lekë të reja. Jo vetëm kaq, por gjithashtu bllokoi të gjitha llogaritë e tyre deri në arritjen e një marrëveshjeje midis tyre dhe kompanisë që mbledh kreditë e këqija. Kjo marrëveshje ishte rrënuese për buxhetin e bashkëshortëve.
Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Në ndryshim nga Europa, ku kanë një kuadër ligjor shumë të specifikuar, në Shqipëri ky kuadër ligjor nuk ekziston dhe iu lejon hapësira deri diku abuzive këtyre institucioneve.
Në Europë përpara se të kalojë quhet cedimi i kreditit, pra shitja e kreditit tek një nga këto institucione të cilat janë të autorizuara të çertifikuara dhe të regjistruara në regjistër të posaçëm. Dhe në momentin që kalohet te cedimi i kreditit, kredidhënësi fillestar komunikon me debitorin që detyrimi i tij do i kalojë një shoqërie tjetër.
Rasti i mësipërm nuk ishte i veçuar për dy bashkëshortët që u përfshinë në këtë skemë. Ata u detyruan të luanin jo vetëm me kredinë e vjetër, por edhe të morën një kredi tjetër që duhet të paguhej me këste, për të shlyer borxhin e rritur, i cili ishte katërfish më i lartë se ai i filluar.
Kjo ndodhi përmes një marrëveshjeje që futi në kurth edhe shumë kreditorë të tjerë të ngjashëm. Shpejt, përmes kësaj skeme, ata u përballën me bllokimin e llogarive deri te sekuestrimi i pronave të patundshme. Kjo ndodhi për shuma që, në fakt, ishin më të vogla dhe gati modeste në krahasim me pasuritë e patundshme që po u bllokoheshin.
Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Zakonisht shitblerja e borxhit ndodh duke pasur një përqindje, skonto ose zbritje. Pra nëse kemi shoqërinë ‘X’ që ka për të marrë kreditë nga një debitor i cili mund të jetë 10 lekë, ia shet këtë detyrim këtyre institucioneve duke bërë një zbritje që nga 10 lekë ajo mund ta shesi 8 lekë dhe 2 lekë i ka fitim institucioni që blen borxhin. Në këtë rast institucioni që blen borxhin hyn në diskutime me debitorin dhe arrin të marrë të paktën 90 % të vlerës ose 9 lekë në këtë rast. Pra nuk merr dot 100 %, por merr deri në vlerën 90 %.
Megjithëse rasti i dy bashkëshortëve që ishin marrë peng nga kompania ‘Micro Credit Albania’ nuk ishte i vetmi, ai tregonte vetëm një pjesë të historisë më të gjerë. Kompani të ngjashme ishin shpërndarë tashmë në treg dhe vepronin me të njëjtën metodologji. Pas blerjes së kredive të këqija nga bankat e nivelit të dytë, ato hidheshin në sulm duke robëruar klientët përmes kërcënimit me përmbarim.
Vjoldi Danaj: Këto institucione në mënyrë abuzive i detyrojnë klientët, një pjesë e tyre nuk e dinë se çfarë firmosin, që të firmosin disa letra për të marrë kredi të dytë për të shlyer kredinë e parë.
Po interesat që kanë këto institucione janë shumë herë më të larta se interesat që ky kredimarrës mund të ketë pasur me një bankë të nivelit të dytë në këtë rast.
Shumë prej atyre quajtur debitorë nuk kuptuan asgjë deri në momentin kur u përballën me bllokimin e llogarive të tyre bankare, ose edhe kur pronat e tyre kalonin nën kontrollin e vendimeve të gjykatave dhe kompanive të dërguara për të mbledhur kreditë e këqija.
Këta debitorë nuk ishin thirrur as për të qenë të pranishëm gjatë seancave gjyqësore, ku pronat ose llogaritë e tyre bankare bllokoheshin.
Vjoldi Danaj: Këta abuzojnë dhe me privatësinë e individit, që do të thotë përtej telefonatave të panumërta me orar pa orar, ditë pushimi ditë feste që nuk njohin, kalojnë pastaj dhe tek komunikimet me familjarët e tyre. Pra këtu është një shkelje e të drejtës së rezervimit të individit.
Sot, e vërteta është se ‘Micro Credit Albania’ nuk është e vetmja kompani që ka blerë kreditë e këqija dhe, përmes kësaj skeme, po grabit kreditorët e pamundur, duke i zhytur ata gjithmonë e më shumë në pamundësi të reja.
Ajo që dikur konsiderohej si e drejtë e bankave të nivelit të dytë për të mbledhur kreditë e këqija, sot duket se është kthyer në një formë moderne skllavërie. Këta kreditorë, në vend që të mbroheshin, janë rënë pre e një tjetër robërie, që duket edhe më e rëndë.
Eduart Gjokutaj, Ekspert i Ekonomisë: Si çdo lloj institucioni i cili duhet të jetë në zbatim të përhershëm, të jetë konsenkuent në ndjekjen e rregullave dhe këtu nuk duhet ta lejojë atë që quhet teprimi , kalimi i kufirit dhe ruajtja e një sensi mase dhe balancash midis institucionit të mikrokredive dhe bankave për të mos kaluar në një mbivlerësim të një dege nga një tjetër.
Sipas ekspertëve, kjo skemë nisi të aplikohet kryesisht pas vitit 2014, periudhë kur ekonomia globale hyri në një stanjacion ekonomik dhe kriza e likujditetit u bë gjithmonë e më pranishme, duke prekur bizneset dhe kreditë individuale.
Kjo krizë u shfrytëzua me sukses edhe në Shqipëri, ku filluan të lindnin dhjetëra kompani. Këto kompani, pasi blinin kreditë e këqija nga bankat e nivelit të dytë, filluan ti mbledhnin ato duke shkelur rëndë të drejtat e këtyre kreditorëve. Situata arriti deri aty sa atyre u vendosej gjoba, duke shkuar në masën e 30 për qind.
Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Shpeshherë këto institucione financiare dërgojnë komunikime në adresa fallco ose në adresa që nuk janë të kredimarrësit. Kjo bëhet me tendencën që të zgjatet sa më shumë koha e detyrimit dhe të paguajë komisione. Dhe shkon vlera e komisionit më e lartë se principali.
Kur kjo nuk mund të ndodhë sepse nëse merret 50 000 lekë kredi ose borxh, principali mund të shkojë deri në 200, 300 apo 400 000 lekë në total, dhe kjo nuk ka sens dhe logjikë. Dhe kjo është tendencioze nga këto lloj institucionesh.
Ky operacion duhej të kishte mblidhur kreditë e këqija nga kreditorë të mëdhenj, por në fakt përfundoi si një aksion për të grabitur të pamundurit, sidomos kreditorët e vegjël. Nismëtari i këtij operacioni ishte ish-zv.
kryeministri i kohës, Arben Ahmetaj. Ai e pa si zgjidhje për problemet e borxhit që kreditorët kishin ndaj bankave, shitjen e këtyre kredive të cilat u konsideruan të këqija te institucione të licensuara për të mbledhur këto borxhe.
Pas aprovimit të këtij megaoperacioni për pastrimin e kredive të këqija, në Shqipëri, brenda një periudhe të shkurtër, u shfaqën dhjetra institucione tagrambledhëse.
Selami Xhepa, Ekonomist: Normalisht Banka e Shqipërisë është autoriteti mbikqyrës si për bankat ashtu dhe për institucionet financiare jo banka ku përfshihen institucionet e mikrokredisë, njëkohësisht edhe shoqatat e kursim kreditit.
Në Shqipëri dihet që operojnë gati 40 të tilla deri tani dhe që kanë në përgjithësi një volum aktiviteti që mund të shkojë deri në 1 miliardë Euro. Çka do të thotë që nga një vit në tjetrin pesha e tyre ka ardhur në rritje.
Kjo skemë u zbulua edhe nga Ministria e Drejtësisë, pasi u konfrontua me ankesa të shumta nga kreditorët. Ata jo vetëm u përballën me këtë fakt, por edhe këto institucione bankare, në bashkërendim me disa shoqëri përmbaruese, vendosën një penalitet prej 30 përqindësh mbi vlerën e detyrimit, duke e bashkuar edhe interesin.
Ky veprim nuk përputhej me principet sanksionuese të rregullorjes së Bankës së Shqipërisë për këtë lloj rasti. Në një situatë dëshpëruese, ku pronat apo llogaritë e tyre ishin të bllokuara, debitorët ishin të detyruar të paraqiteshin pranë shoqërive përmbaruese, të cilat ishin lidhur ose krijuar nga këto institucione bankare.
Kjo ishte e vërtetë edhe për ‘Micro Credit Albania’, e cila kishte kontraktuar zyra përmbarimi, por në fakt ishin vetë kjo kompani. Këta debitorë këshilloheshin nga përmbaruesit të lidhur me këtë kompani që, me qëllim të shlyerjes së borxhit, të lidhnin një aktmarrëveshje me ‘Micro Credit Albania’, duke përfshirë edhe penalitetet e vendosura.
Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Përmbaruesit sot kanë dalë nga shinat, nëse mund ta themi në gjuhën popullore, dhe tashmë po i tejkalojnë të gjitha kompetencat e tyre duke shkatërruar bizneset por qoftë dhe në mënyrën e tyre individët.
Kështu që të tre institucionet që thashë pak më lart duhet të jenë ato që duhet t’i monitorojnë të dy këto institucione të tjera. Kjo skemë e cila u zbulua edhe falë një hetimi të nisur, tregoi se zyrat e përmbarimit ‘Shërbimi Përmbarimor Zig’, ‘Star’ dhe ‘Flash’, nuk ishin askush tjetër përveçse ‘Micro Credit Albania’.
Ndërsa borxhlinjtë merreshin për dore nga zyra e përmbarimit dhe çoheshin pikërisht te ‘Micro Credit Albania’, aty ku do të duhet të firmosnin marrëveshjen e vendosur në tavolinë pavarësisht se sa rënduese ishte ajo për ata.
Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Ka raste që unë kam dëgjuar që për një vlerë 100 000 lekë i është sekuestruar shtëpia, makina. Kjo është totalisht në shkelje. Vlera duhet të jetë në proporcion me vlerën e kredimarrësit. Në momentin që tejkalohet kjo vlerë atëherë do të thotë që dhe përmbaruesi është në abuzim.
Pra kemi dy abuzues në këtë rast. Kemi institucionin financiar dhe përmbaruesin. Vetë përmbaruesët bashkë me institucionet financiare janë bërë problem shumë i madh për shoqërinë, jo vetëm për sipërmarrjet por po dëmtojnë dhe vetë pjesën e privatit.
Sipas hetimeve, debitorët nuk shihnin paratë me sy, pasi ato transferoheshin menjëherë duke thyer një çek në llogarinë e ‘Micro Credit Albania’. Ministria e Drejtësisë, duke hulumtuar pas ankesave të shumta nga debitorët tashmë të skllavëruar, zbuloi se ata ishin detyruar të lidhnin deri në 3 herë kontrata të reja kredie, të cilat kishin vlerë deri në 2, 3 apo 4 herë më të lartë se detyrimi fillestar.
Kështu, ata u kthyen në viktima, pa e ditur se ishin pre e kësaj skeme mashtrimi, ndërsa Ministria e Drejtësisë identifikoi raste të shumta të kësaj natyre gjatë hetimit.
Edhe pse Ministria e Drejtësisë hoqi licencën e 7 përmbaruesve privatë të lidhur me ‘Micro Credit Albania’, kjo nuk arriti të frenonte skemën, por përkundrazi, ajo përshkallëzohet edhe më shumë. Pavarësisht kësaj hapi, fenomeni shqetësues i rritjes në masë të kreditorëve që po skllavëroheshin nuk u ndal.
Ministria e Drejtësisë kishte kallëzuar 7 përmbaruesit në Prokurori, megjithatë organi i akuzës kishte dyshime të veta se ishin dhjetëra familje që ishin rënë pre e skemës së grabitjes së ngritur nga ‘Micro Credit Albania’. Këto familje, për të shlyer borxhet e vjetra, u detyruan të nënshkruan kontrata për kredi të reja.
Selami Xhepa, Ekonomist: Në raportet periodike të Bankës së Shqipërisë janë të pozuara herë pas here problematika që manifestohen në këtë sektor që kanë të bëjnë kryesisht me transparencën, me mënyrën e funksionimit të tyre të brenshme, kanë të bëjnë me asimetrinë ose si të themi me një lloj politike jo shumë të hapur ndaj kredimarrësve.
Fjala vjen mënyra e ndryshimit të termave të kredisë që mund të bëhet në mënyrë të njëanshme, kushtet e transparencës në mënyrën se si llogaritet interesi etj etj.
Kompania ‘Micro Credit Albania’ nuk ishte e vetmja që u përfshi në një hetim të gjerë nga Ministria e Drejtësisë dhe më pas nga organi i akuzës. Lulëzimi i tyre fillon në vitin 2016, periudhë kur Banka e Shqipërisë nisi licencimin e tyre dhe lindjen e kompanive të tjera të mbledhjes së borxheve, të cilat u emërtuan ‘Tranzit’, ‘Final’, pastaj ‘Kredo Financë’, ‘Lute Credit’, ‘Micro Credit Risk’, dhe të tjera.
Këto kompani, duke parë suksesin e tyre, nuk u mjaftuan vetëm me mbledhjen e kredive të këqija nga bankat e nivelit të dytë, por shtrinë aktivitetin e tyre edhe në fusha të tjera, duke përfshirë kompanitë celulare dhe stoqet e detyrimeve të papaguara.
Shumë qytetarë u përballën me telefonata të shumta nga këto kompani të mbledhjes së borxheve, ku u kërkohej të paguanin detyrimet e prapambetura që kishin ndaj tyre.
Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Mjafton të marim normativën europiane dhe ta përdorim këtu. Normativa europiane i ka zgjidhur shumë mirë këto lloj situatash dhe nuk ka lënë hapësira për abuzime siç ndodh fatkeqësisht në Shqipëri.
Megjithatë këto kompani borxhmbledhëse nuk mund të funksionin në mungesë të një kuadri rregullues legjislativ.
Eduart Gjokutaj, Ekspert i Ekonomisë: Natyrshëm ky është një risk i madh për sa kohë ekzistojnë fenomene të tilla që vijnë në mënyrë të përsëritur nga mungesa e kontrollit dhe në një farë mënyre nga këto kushtet e lehtësuara të cilat ulin vigjilencën qoftë të menaxhimit të brendshëm që e menaxhon apo kontrollon sa duhet punën e tij, qoftë dhe Banka e Shqipërisë, e cila në vetvete nuk e ka fokusin kryesor mbikqyrjen e tyre pasi më së shumti ka sistemin bankar.
Për të adresuar këtë situatë, Banka e Shqipërisë ndryshoi rregulloren e licensimit të institucioneve të mikrokredisë. Dy pikat e shtuara ishin ‘blerja e kredisë’ si një nga format e kredidhënies dhe subjekti financiar jo-bankë që mund të blinte ‘kredi me probleme’, duke përfshirë ato që kishin 100 për qind të portofolit të kredisë të tyre të përbërë nga kredi të tilla të blera nga bankat.
Kjo hapësirë e krijuar në legjislacion i mundësoi këtyre kompanive të abuzonin ndjeshëm dhe të intensifikonin sulmet e tyre ndaj individëve apo familjeve, veçanërisht të varfra.
Këto shkelje të rënda u konstatuan gjatë një hetimi të nisur në vitin 2019 nga Ministria e Drejtësisë. Ata dërguan një dosje voluminoze me mijëra faqe në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ekspozoheshin mënyrat se si këto institucione mikrofinanciare e kishin kthyer mbledhjen e këtyre kredive të ashtuquajtura të këqija në një mundësi dhe minierë ari për të grabitur qindra qytetarë. Këto histori njerëzore nuk tregonin asgjë tjetër përveç dëshpërimin dhe varfërinë ku kishin përfshirë ata.
Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Këtu janë gjykatat përkatëse që duhet të ndërhyjnë dhe të kërkojnë me forcë modifikimin e ligjit ose pse jo dhe dënimin në mënyrë të drejtpërdrejtë të këtyre institucioneve.
Këto janë institucione që nuk bëjnë gjë tjetër përveç se shkatërrojnë ekonomitë individuale, shkatërron në tërësi dhe ekonominë…Pra ndikojnë në uljen e konsumit në uljen e vetë kredive. Kjo gjë u mendua në fillim që do ndikonte në uljen e kredive të këqija, por kjo vetëm sa ka shtuar kreditë e këqija, sepse merret kredi për të shlyer kredi.
Në këtë skemë grabitqare, tragjikja e vërtetë ka qenë humbja e banesave për shumë kreditorë. Kjo ndodhi si rezultat i mashtrimit financiar që doli jashtë kontrollit ose u lejua të ndodhë me vetëdije nga shteti.
Gjatë vitit 2023, këto institucione, përfshirë ‘Micro Credit Albania’ dhe ‘Final’, përvetësuan jo vetëm shumën e parave nga kreditorët, por finalizuan skemën duke rrëmbyer edhe pronat e tyre.
Këto kompani jo vetëm që morën pronat nga debitorët, por edhe i shitën ato në ankand, duke bashkëpunuar me zyrat e përmbarimit, të cilat organizonin shitjen e pronave të debitorëve.
Vjoldi Danaj, Ekspert i Politikave Ekonomike: Shpeshherë përmbaruesit bien në marrëveshje me individë që janë të interesuar pikërisht për të blerë këto lloj asetesh. Dhe automatikisht pa respektuar shpesh herë dhe procedurat ligjore, e vendos në sekuestro preventive dhe kohën, afatin që lë për shlyerjen e detyrimeve është shumë e shkurtër që dhe në këtë rast nuk respektohen termat ligjorë, arrin që ta nxjerrë në shitje, normalisht çmimi që del në fillim është sa detyrimi fillestar që ka kredimarrësi pastaj arrin që nëse për një farë periudhe ajo nuk shitet, arrin detyrimi, vlera të ulet.