Ka vetëm 2 vite që stërvitet rregullisht në palestër, por arriti të shpallej kampion bote në dy kategori të bodybuilding. Por flasim për 19-vjeçarin nga Durrësi Marjan Hoxhaj, që në kompeticionin ndërkombëtar të zhvilluar në fillim të nëntorit në Spanjë rrëmbeu dy medalje të arta, si pjesë e ekipit kombëtar të bodybuilding dhe fitnesit.

“Garova përballë 10 sportistëve të tjerë, në kategorinë 18-20 vjeç. Aty dola fitimtar. Dola kampion absolut në kategorinë Junior. U ndjeva shumë krenar, sepse u ekzekutua dy herë himni shqiptar”,-tregon Hoxhaj për “DurrësLajm”.  

Duket se ky ka qenë viti i Marjanit, pasi triumfi në Spanjë nuk është i vetmi.

“Brenda një viti kam fituar 3 herë radhazi kampionatin shqiptar. Gjithashtu kam marrë pjesë edhe në kampionatin ballkanik dhe evropian, ku gjithashtu kam fituar në kategorinë Absolut Junior”.

Djali i ri, student në UAMD, në degën fizioterapi, rrëfen se i hyri krejt rastësisht palestrës, për të kuruar një problem shëndetësor siç është nënpesha. Në moshën 17-vjeçare peshonte vetëm 47 kg, ndërsa tani plot 72 kg.

“Çdo gjë nisi para dy viteve, në moshën 17 vjeç, për shkak se isha shumë nën peshë. Tre muajt e parë, si çdo person i ri pashë zhvillim në muskujt e mi dhe me kalimin e kohës miqtë e mi Ramazan Qela, Enea Mema dhe Irdi Kashari nisën të merreshin me bodybuilding. Nga zhvillimi gjenetik që kisha thashë të merresha dhe unë. Çdo gjë nisi spontanisht”.

Për të arritur kaq shumë suksese brenda një viti nevojitet një disiplinë e hekurt dhe dietë rigoroze. Por jo vetëm kaq.

“Në periudhën para garave, një apo dy muaj para izolohem. Nuk dal shëtitje apo për të ngrënë etj. Thjesht jam strikt me dietën time, me pilafin me fileto. Fituesi duhet të ndjekë një dietë shumë të fortë”,- rrëfen ai, ndërsa buzëqesh.

I përkushtuar totalisht studimeve të larta dhe punës në palestër si trajner fitnesi, Marjani tregon se përzgjedhja e profesionit që synon të ndjekë në të ardhmen nuk ka qenë aspak rastësi.

“Iu përkushtova këtij profesioni, sepse më ndihmon shumë të njoh muskujt, zhvillimin e tyre. Fizioterapia është një pasion për mua, sepse më pëlqen shumë që të ndihmoj njerëzit. E kam primare”,- thotë Hoxhaj.

Në kompeticionin ndërkombëtar në Spanjë, Shqipëria u përqafësua me një ekip prej 13 sportistësh, 6 prej të cilëve ishin nga Durrësi. Vitet e fundit, qyteti bregdetar ka krijuar një traditë mjaft të mirë në këtë sport me kampionë kombëtarë e ndërkombëtarë si Edmond Methasani, Bruno Nuho, Irdi Kashari, Ramazan Qela etj.

M.B.