Ngjarjet dhe zhvillimet e reja në showbiz marrin gjithnjë vëmendje maksimale dhe klikime të shumta. Të përfolur dhe të komentuar, personazhet publikë me raste ngrejnë dyshime me postimet e tyre dhe herë të tjera shuajnë dilema dhe dyshime të ndjekësve.
Megjithatë lajmet e bukura të pritjeve të ëmbla janë më të shumëpriturat. Së fundmi një lajm i mirë vjen nga këngëtarja Anjeza Shahini, e cila prej kohësh është shkëputur nga skena muzikore dhe është zhvendosur në Angli, ku jeton me bashkëshortin e saj. Lajmin se është në pritje të ëmbël e ka bërë të ditur vetë këngëtarja nëpërmjet një postimi në Instagram, ku shihet me barkun e rrumbullakosur. Edhe pse ende nuk e ka zbuluar gjininë e fëmijës, fansat dhe miqtë i bashkohen gëzimit të saj.
“Me Anjezën unë fola mbrëmë dhe më tha se donte të organizonte një ceremoni me familjarët dhe aty do të zbulojë edhe gjininë e bebes. Nga komunikimi që pata me të më tha që për momentin lutej vetëm të jetë mirë me shëndet. Sigurisht që unë e pyeta për nepsin dhe më tha që kishte detyruar një mikeshën e saj të bëjë bakllava në mes të Londrës” tha në emisionin “Rudina” blogeri Olti Curri.





