Nga nesër në mëngjes, studentët nga Durrësi e më gjerë që ndjekin shkollën në Tiranë, do t’u vihet kufiri te Dogana. Ashtu si edhe shumë qytetarëve që duhet të vijnë në kryeqytet dhe anasjellas.

Bashkia e Tiranës njoftoi sot hapjen e terminalit të autobusëve të Shqipërisë së mesme dhe të Jugut, në zonën pranë sheshit “Shqiponja”. Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj, ky terminal është i përkohshëm, deri në përfundimin e dy terminaleve të përhershme.

“Kemi sistemuar këtë terminal të përkohshëm, i cili do të shoqërohet nga nesër në mëngjes me një stacion autobusësh, që do të nisë punën që në 4.30 të mëngjesit, dhe me një stacion taksish për ata që duan të marrin drejtime të ndryshme”, u shpreh Veliaj. Ai tha se do të merren masa të ashpra për ata mjete që ngarkohen me pasagjerë jashtë terminalit të ri të autobusëve.