TIRANË– Shtrenjtohet akoma më shumë jeta në Tiranë. Këshilli Bashkiak i Tiranës ka vënë dorë sërish në sistemin e taksave e tarifave vendore duke bërë disa ndryshime. Konkretisht, për të marrë kartën e studentit, parkuar në çdo cep kryeqyteti, për të hyrë në kopsht zoologjik a fusha sportive, si edhe për të marrë një shërbim taksi do të duhet të paguajmë më shumë. Dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me luftën në Ukrainë apo krizën globale ekonomike.
PARKIMET ME PAGESË
Përveç katër zonave të njohura për parkim në kryeqytet, ku për të parkuar automjetin duhet të paguash nga 40 deri në 100 lekë/orë, edhe trembëdhjetë zona të tjera do të futen në listëparkimet me para të Bashkisë. Sigurisht, të menaxhuara nga Tirana Parking. Bëhet fjalë për territorin e ish-komunave që me ndarjen territoriale kaluan nën administrimin e pushtetit vendor.
Në relacionin bashkëngjitur projektvendimit, një gjë e tillë artikulohet si kërkesë e bizneseve dhe individëve që banojnë në zonë për t’u pajisur me vendparkime. Por, nuk duhet harruar se të ardhurat nga ky zë çuan në arkën e bashkisë për vitin 2021 afro 500 milionë lekë të rinj, ndërsa projeksionet për vitet në vijim kapin kufijtë e 670 milionë lekëve.
Me miratimin e këtij vendimi që pasohet me vendosjen e sinjalistikës së duhur në ishkomunat: Dajt, Zall Bastar, Shëngjergj, Farkë, Petrelë, Bërzhitë, Kërrabë, Baldushk, Pezë Vaqar, Ndroq, Kashar, Zall Herr do të paguhet për çdo vendparkim. Kjo do të shtojë koston e jetesës së familjeve, e po ashtu edhe i hap rrugë vënies së gjobave nga policia bashkiake.
TAKSITË
Rritje e shpjegueshme me rritjen e çmendur të naftës në bursë, por nuk është kjo arsyeja përse qytetarët që zgjedhin shërbimin taksi do të duhet të nxjerrin më shumë para nga xhepi. Sipas vendimit të marrë sot në këshill, nisja nuk do të jetë më në nga 250 lekë, por 300, ndërsa kilometrat e përshkuar varen nga zona. Të trija të rritura, krahasuar me vitin 2013 kur u bë ndryshimi i fundit i tarifës për shërbimin taksi.
“Politika e ndjekur ka nxitur organizimin e strukturave të shërbimit taksi, të cilat kanë siguruar një shërbim të shpejtë, cilësor dhe të sigurt, si edhe një organizim në sistemin e kontrolluar të tarifimit, që është i prirur të kontrollojë shërbimin ndaj klientit, nëpërmjet respektimit të çmimit të shërbimit të vendosur”, argumentohet rritja e çmimit që thuhet të ketë ardhur me kërkesë të përfaqësuesve të subjektit të shërbimit taksi, të cilët kanë kërkuar të reflektohet në çmim edhe për shkak të efekteve ekonomike ndër vite që shkakton inflacioni.
KOPSHTI ZOOLOGJIK
Investimet e kryera në kopshtin zoologjik të Tiranës përgjatë tri viteve të fundit kanë bërë që Bashkia Tiranë të disafishojë çmimin e biletës me qëllim për të mbuluar kostot e mirëmbajtjes.
“Nisur nga qershori i vitit 2019, kopshti zoologjik i Tiranës është përfshirë nga një investim i ri me dyfishim të sipërfaqeve të ekspozimit dhe shtimi të shumëllojshmërisë së kafshëve që do të trajtohen me të njëjtin standard, sikurse edhe në kopshtet zoologjike të Europës. Investimi i ri ka ndikuar në ndryshimin e infrastrukturës, me hapësira të reja për trajtimin dhe ekspozimin e kafshëve, e për rrjedhojë ka ndryshuar edhe ngarkesa me kafshë të egra e të buta”, citohet në relacionin bashkëshoqërues të vendimit, citon Panorama.
Konkretisht, bileta për të rritur është 300 lekë, ndërsa për fëmijë 200.
E njëjta gjë do të ndodhë edhe me fushat sportive në parkun e madh të liqenit artificial pas shtimit të cilësisë së shërbimeve që ato ofrojnë me investimet e fundit.
Për secilën prej tyre, në relacion është bërë një analizë e kostove të shërbimit.
As studentët s’i shpëtojnë krizës, karta me përfitime kundrejt parave
As të rinjtë që studiojnë, shumica nga rrethet të shpërngulur në tiranë nuk ia hedhin paq. Karta, që presupozohet të ketë përfitime në disa shërbime do të mund të merret në këmbim të afro 500 lekëve, nga 350 lekë më parë.
E gjitha kjo bëhet pas implementimit të një marrëveshjeje që e bën anëtare të Kartës Studentore Evropiane, koston e së cilës ia kanë ngarkuar studentëve që me shumë gjasë nuk do t’iu hyjë në punë.
Nga 60 mijë të rinj që studiojnë, numri i atyre që mund të udhëtojnë është minimalist.
“Qëllimi kryesor i kartës është t’u japë studentëve evropianë të njëjtat të drejta që ata kanë si studentë të një vendi të caktuar gjatë periudhës kur udhëtojnë jashtë vendit të tyre ose gjatë programeve të shkëmbimeve studentore (Erasmus +).
Karta Studentore Evropiane i jep akses një numri të pakufizuar shërbimesh që studentët përdorin gjatë jetës së përditshme, shërbime në kampus apo në qytet të ofruara në 26 shtete dhe 184 universitete të huaja”, argumentohet nga relatorët e çështjes.