Përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të mjetit është bërë shkak i regjistrimit të aksidenteve absurde në rrugët e Durrësit, pasi përplasjet mjet me mjet kanë ndodhur, ndërsa qarkullonin me shpejtësi minimale.
Por nuk është vetëm aparati celular shkaktar i aksidenteve që shohin çdo ditë në akset e qytetit. Drejtimi i mjetit me shpejtësi tej normave të lejuara është shkaku kryesor i numrit më të madh të aksidenteve brenda në qytet apo në akset interurbane.
“Në zonat interurbane kemi shpejtësinë dhe përdorimin e alkoolit, që janë dy nga shkaktarët kryesorë, ndërsa në zonat urbane kemi shpejtësinë dhe përdorimin e telefonit. Për shkak të telefonit kemi aksidente që ndodhin me 5-10 km në orë lëvizje me mjet. Përdoruesit e rinj të mjetit, deri në moshën 35-vjeçare, janë kryesisht drejtuesit që shkelin normat e shpejtësisë.”,- thotë për “DurrësLajm” Florjan Masha, shef i seksionit të Policisë Rrugore për akset urbane dhe interurbane.
Sipas statistikave të Policisë Rrugore Durrës, 3 muajt e parë të këtij viti kanë regjistruar një numër më të vogël aksidentesh në total krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
“Si numër duke krahasuar 3-mujorin e parë të vitit 2025 me të njëjtën periudhë të 2024-s kemi një numër më të vogël të aksidenteve. Ndërsa aksidentet me dëme materiale kanë pak shtim, rreth 50-60 aksidente më shumë, kemi ulje të konsiderueshme të aksidenteve me dëme shëndetësore, që klasifikohen si plagosje të lehta, mbi 9 ditë.”
Në një qytet ku lëvizja me makinë në orarin e pikut të trafikut është një makth për çdo drejtues mjeti, shkelja më e zakonshme e Kodit Rrugor është parkimi i gabuar. Vitin e kaluar, efektivët e policisë ka vendosur gjithsej 65.018 masa administrative për shoferët, që nuk respektojnë Kodin Rrugor.
“Shkelja më e zakonshme në rrugët e qytetit të Durrësit, që faktikisht nuk ka lidhje me sigurinë rrugore, por me ngarkimin e trafikut është parkimi i gabuar. Durrësi është akoma shumë prapa nga qytetet e tjera. Kjo lidhet më shumë me edukatën qytetare. Një drejtues mjeti parkon mjetin në mes të rrugës dhe nuk e ka problem fare se pengon gjysmën e qytetit.”
Dëshira për të drejtuar mjetin ul shpesh në timon adoleshentë që ende nuk i kanë mbushur të tetëmbëdhjetat. Por në rrugët e qytetit bregdetar regjistrohen edhe raste më flagrante, kur të mitur janë diktuar nga efektivët e policisë duke lëvizur në akset qytetase!
“Mosha më e ulët ka qenë mosha 9-vjeçare, ndërkohë që dhe babai ishte në vendin e parë. Është njoftuar Shërbimi Social i bashkisë për rastin dhe është marrë dhe masa administrative ndaj babait e cila është “Pezullim i lejes së drejtimit” për një muaj dhe 100 mijë lekë të reja gjobë.
Në një kohë kur qyteti bregdetar po nis përgatitjet për sezonin turistik dhe shtim të numrit të mjeteve në akset urbane dhe interurbane, apeli i Policisë Rrugore për shoferët është shmangia e lëvizjes nën efektin e alkoolit dhe tek normave të lejuara.
M.B.