Vihen në pranga 5 persona në Durrës për vepra të ndryshme penale, njëri prej tyre i shpallur në kërkim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës bënë ndalimin e shtetasit F. M., 38 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Postën e Policisë Manzë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Përndjekja”, shtetasin N. B., 29 vjeç, banues në Manzë, Durrës, pasi në mënyrë të vazhdueshme, nëpërmjet celularit, ka përndjekur shtetasen E. C.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” shtetasit:

I. M., 36 vjeç dhe L. P., 55 vjeç, banues në fshatin Vadardhë, Durrës, pasi janë kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar automjetet përkatëse, në gjendje të dehur.

Po nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u arrestua në flagrancë shtetasi V. N., 34 vjeç, banues në Hamallaj, Durrës, pasi ka aksidentuar shtetasen F. C., 66 vjeçe, e cila ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.