Humbja e fundit me Skënderbeun ka krijuar dilema të mëdha te drejtuesit e Teutës. Hezitimi i trajnerit Gugash Magani pas ndeshjes, i cili fillimisht nuk donte të dilte në konferencë për shtyp dhe më pas pranoi se ai do të vazhdojë të qëndrojë në krye të "djemve të detit", nuk i ka pëlqyer klubit.

Gjithashtu një tjetër problem që shqetëson bregdetarët është edhe merkatoja e bërë në fillim të këtij sezoni. Disa lojtarë nuk kanë bindur dhe pritet të largohen gjatë janarit. Megjithatë, një çështje më vete është fakti që a do të gjenden dot të duhurit për të përforcuar organikën.

Sikundër edhe dihet, merkatoja e dimrit nuk ka shumë opsione, ndaj në klub shpresojnë te ndonjë "okazion", pra të afrojnë ndonjë futbollist që mund të bëjë diferencën ndër të tjerët.

Në tregun vendës nuk ka shumë alternativa, ndaj zgjidhja e vetme është që të marrin të huaj. Mësohet se Teuta do të përforcohet në të gjitha repartet. Gjithçka nis me portën, duke qenë se performancat e Kastratit apo Moçkës nuk kanë bindur drejtuesit, për të vazhduar me mbrojtjen ku kërkohen 2-3 lojtarë cilësorë.

Teuta është ekipi i dytë në Superiore që ka pësuar më shumë gola në Kategorinë Superiore dhe është nevojë urgjente përforcimi i këtij reparti. Gjithashtu edhe sulmi është një sektor ku do të ketë afrime, Osemene nuk ka bindur dhe pritet të largohet nga skuadra, edhe pse është lojtari më i paguar i ekipit.