Tirana ka “peshkuar” për Champions League Dinamo Tbilisin. Kampionët e Shqipërisë do duhet të udhëtojnë në Gjeorgji për ndeshjen europiane, ndërsa prej pandemisë do luhet vetëm me një takim. Po cilët janë kundërshtarët e bardhebluve?

Dinamo Tbilisi është klubi më i titulluar në Gjeorgji, ndërsa është themeluar në vitin 1925. Klubi I njohur ka fituar 17 herë trofeun e kampionit në Gjeorgji, ndërsa plot 13 herë ka fituar edhe Kupën e këtij shteti. Në periudhën kur Gjeorgjia ishte pjesë e Bashkimit Sovietik, Dinamo Tbilisi ishte një emër i njohur në futbollin e kohës, duke furnizuar edhe Kombëtaren sovietike me futbollistë cilësorë. Jo më kot gjatë asaj periudhe ka fituar 2 trofe të kampionatit sovietik dhe po 2 Kupa.

Momentalisht ekipi ka një vlerë prej 7.65 milion eurosh në treg, ndërsa lojtari i tyre më me vlerë është Nika Ninua, që mban edhe shiritin e kapitenit. Mesfushori vlerësohet 900 mijë euro, duke qenë pjesë e kombëtares gjeorgjiane në moshën 21-vjeçare aktualisht.

Skuadra e Dinamos ka në përbërje 26 futbollistë dhe mosha mesatare e tyre është 25 vjeç, e re krahasuar me ekipet e tjera që garojnë në Champions League. Sezonin e fundit ata u shpallën kampion me 75 pikë pas 36 ndeshjesh, duke lënë me pesë pikë pas ndjekësit e Dinamo Batumi.

Aktualisht në Gjeorgji ka nisur sezoni i ri dhe Dinamo Tbilisi kryeson pas 9 ndeshjesh të luajtura me 18 pikë, mirëpo ndjekësit e Dila kanë një 2 pikë më pak dhe një ndeshje të prapambetur. Dinamo Tbilisi ka në përbërje 4 lojtarë të huaj ndërsa baza është te lojtarët gjeorgjianë.

Ekipi i zhvillon ndeshjet në Dinamo Arena, me plot 55 mijë ulëse. Stadiumi është inauguruar në 1936-n, duke marrë një rikonstruksion së fundmi. Tirana dhe Dinamo janë përballur njëherë për Champions League në sezonin 2003-2004, me lojtarët tanë që kanë dalë triumfues në takimiet e dyfishta. 3-0 për Dinamon përfundonte ndeshja në Gjeorgji, ndërsa 3-0 fitonte Tirana në Shqipëri, me ndeshjen që shkoi në shtesë dhe fati i buzëqeshi bardhebluve pas penalltive (4-2). Trajneri aktual Emmanuel Egbo ishte në portë për Tiranën asokohe, duke pritur dy 11 metërsha.